Toogle template customization

Who's Online..

Now online:
  • 18 guests
Nga Masakra e Tivarit, tek masakra çame  E-mail

Nga Dalip Greca

Termometri i politikës shqiptare gjatë qershorit shënoi temperature të larta, jo vetëm për shkak të verës së nxehtë. Në Tiranë u promovua libri ‘Jeta ime’, një tjetër memorial plot lavde i kohës komuniste prej Ramiz Alisë, pasus i diktatorit Enver Hoxha, i cili nuk i kursen kurorat për mësuesin e vet, ndërkohë që në Prishtinë libri digjet në mënyrë demonstrative, si për të na kujtuar fillim vitet ’90, kur digjeshin veprat e Enverit.

 

Temperatura politike u ngrit disa shkallë më lartë edhe për shkak të një ngjarje tjetër; kur kryeministri shqiptar, ia prêt gazin e promovimit të librit Ramiz Alisë, tek i kujton masakrën e Tivarit, ku humbën jetën përmes vrasjeve, helmimeve, pritave, kurtheve, rreth 4500 djemë të Kosovës, kalvari i të cilëve u end edhe në viset e shtetit shqiptar, i cili kurrë nuk e ngriti zërin për ta denoncuar masakrën, por luante rolin e të paditurit.

Ramiz Alia u tregua me gisht nga kryeministri si pjesë e egzekutorëve duke e cilësuar si xhelat. Natyrisht që kryeministri, përderisa e cilëson xhelat për këtë masakër, duhet të ketë fakte, dhe sic paralajmëroi, fakte të tilla nuk mungojnë. I fundmi i diktaturës komuniste shqiptare, u përpoq që ta anashkalojë akuzën dhe përgjegjësinë, duke thënë se nuk e dëgjonte më Berishën dhe se kosovarët le t’i gjejnë vetë fajtorët serbë!

Kjo përgjigje e dytë, kosovarët t’i gjejnë vetë fajtorët, natyrisht që nuk e nderon Ramiz Alinë, as nuk ia heq përgjegjësinë, edhe pse ashtu si paraardhësi i vet, është përpjekur që të luajë me kartën e patriotizmit kosovar dhe si shpërblim, vinin dha tufat me karafila për ”bacën” në tribunat e kongreseve apo në ato të 1 Majit.

Ramiz Alia është përpjekur që të paraqesë një farë alibie për atë masakër duke thënë se ai kishte qenë në Bosnjë dhe jo në Kosovë, por prononcimi më i fundit i ish partizanit Sabri Godo,që gjithashtu ka qenë jasht kufijëve në atë kohë, e rrëzon këtë alibi; pra Divizioni që kishte për komisar Ramiz Alinë nuk ka qenë në Bosnjë por në Kosovë dhe ka hyrë përmes kufirit të shtetit shqiptar. Nëse nuk është urdhërdhënësi, ai nuk mund të bëjë të paditurin.

Edhe nëse Ramiz Alia nuk implikohet si pjesë e tragjedisë ai moralisht duhej të ndjente dh eta shprehte dhimbjen për tragjedinë që mori ajkën e djemurisë kosovare, dhe së paku të shfaqte pendesën dhe të jepte shkaqe se pse shteti shqiptar bëri kompromisin me sllavët, pse lejoi që ai karvan të kalonte në tokën shqiptare dhe pse luajti rolin e të paditurit, ku 4500 burra u shfarosën dhunshëm. Ndoshta Ramizi në fundin e pleqërisë së vet do të lehtësonte disi ndërgjegjen duke pranuar bashkëfajësinë e shtetit komunist shqiptar në lojën e ndyrë me sllavët për këtë masakër, që për nga forma e egzekutimit dhe numrin e të egzekutuarëve, nuk është larg masakrave tragjike të nazistëve ndaj hebrejëve.

Kryeministri shqiptar bëri mirë që i vuri gishtin Ramizit, duke hedhur hapin e parë drejt zbardhjes së masakrës më të përbindshme të Ballkanit, por topi tani ka mbetur tek Parlamenti shqiptar. I takon atij që të ngrejë komision parlamentar, të bashëpunojë me parlamentet e vendeve të tjera ballkanike, të kërkojë hapje te arkivave dhe ta trajtojë me përparësi ngjarjen, në mënyrë që ajo të mos humbë në morinë e ngjarjeve të ditës që prodhon me shumicë politika shqiptare dhe kjo të mos ketë vetëm efekte propagandistike, por t’i shkohet deri në fund. Natyrisht kështu do të gjenden fajtorët, egzekutorët, urdhërdhënsit dhe do të lehtësohen shpirtrat e të masakruarëve dhe familjarëve të tyre.

Një tjetër ndodhi e ngriti të nxehtit politik në Shqipëri, ngjarja në Parlament për të nderuar viktimat e tragjedisë çame. Nëse deputeti i partisë së Çamëve, kërkoi të nderoheshin viktimat që morën jetë të pafajshme 66 vite të shkuara nga fashisti Zerva, ky ishte veprimi më i pakët që mund të bënte Parlamenti dhe shteti shqiptar, mirëpo fatkeqësisht gjenden zervistë të rinj në parlamentin shqiptar me statusin e deputetit, që me qëndrimin e tyre shkelin mbi gjakun e mijëra foshnjëve, pleqëve, grave e burrave çamë të masakruar. Vangjel Dule me kompani me qëndrimin e tyre, jo thjesht antishqiptar, por edhe antinjerëzor, përdhosin shpirtrat e masakruar. Turp për një deputet! Çfarë tha deputeti çam në Parlament që na u irritu greku Vangjel Dule? Ai thjesht kujtoi masakrën e ndodhur 66 vite të shkuara, “ nga 27 qershori i 1944 deri në mars 1945, në territorin e Greqisë fqinje, në krahinën e Çamërisë, ku u vranë mbi 2600 vetë, shumica ishin gra, pleq dhe fëmijë. Mbi 2700 të tjerë vdiqën gjatë kalvarit të lodhshëm biblik porsa arriten në Shqipëri.”

Po ku prek Vangjel Dule? Ndoshta në përfundimin logjik se:”Kjo masakër nuk ishte një gabim taktik i konsumuar në margjinat e një Lufte botërore që mori shumë jetë. Ajo nuk ishte shfrim i justifikuar mbi një ushtri të zënë rob, por mbi një popullsi të pafajshme të dënuar kolektivisht, Kombëtarisht. Burrat, gratë dhe fëmijët, të vrarë sipas modelesh unikë ekzekutimi, të denjë për manualet e filmave horror, u vranë vetem se ishin shqiptarë.”

Ka ardhur koha që të ketë më shumë transparencë për tragjedinë çame, boll me tabu. Politika shqiptare duhet të jetë më e guximshme për të trajtuar problemet kombëtare. Diplomacia shqiptare duhet edhe një here të rikthehet në kohën e guximshme të vitit 1992, në kohë kur presidenti i atëhershëm, kryeministri i sotëm, Dr. Sali Berisha, e ngriti me force problemin çam dhe nuk pranoi alibinë greke per faj kolektiv të popullsisë çame.

Për fat të keq opozita shqiptare e cila mund të bënte më shumë se sa qeveria, as nuk merret me problemet kombëtare, por vetëm kapet pas interesave te vogla, që kërkojnë pushtet me çdo kusht pa përfillur rregullat e demokracisë dhe ligjet e një shteti funksional.

Kombit shqiptar i rëndojnë shumë dy masakrat e përbindshme, ajo e camëve dhe ajo e Tivarit. Drejtësia duhet të shkojë në vend, ndryshe shpirtrat e fattragjikëve, do të vazhdojnë të rënkojnë.

 
Copyright © 2010 Gazeta Dielli. All Rights Reserved