Toogle template customization

Who's Online..

Now online:
  • 15 guests
FAMILJA PANI, NË PESË BREZA PATRIOTËSH  E-mail

Nga  Rozi Theohari

(Vijon nga numri i kaluar)

Fryma e qytetërimit që kishin sjellë kurbetllinjtë, po jepte frutet e para. Në Dardhë kishte edhe një grup teatral për të rritur, që jepte shfaqje në Devoll dhe në teatrin “Majestik” të Korçës.

Fshatit Dardhë po i dëgjohej emri gjithnjë e më shumë në rrethin e Korçës, jo vetëm si vend i mrekullueshëm verimi, por edhe si një qendër kulturore . “Mbaj mend, -thotë Sotiri, - se me sa seriozitet e dashuri e kremtonim në Dardhë festën e 28 Nëntorit…” Por ai kujton edhe pushtimin italian, ardhjen e ushtrisë italiane në Dardhë, çadrat e ngritura prej saj në sheshet e Shën Thanasit, aty ku gratë dardhare luanin valet tradicionale në festat e gushtit.

Gjatë kohës së luftës dhe pas përfundimit të saj rrugët me jashtë ishin të mbyllura. Nuk vinin më letra dhe të holla nga Amerika, me të cilat ishte e lidhur jetesa e shumicës së familjeve të fshatit. Gratë që i kishin burrat në kurbet, me gjithë të ardhurat nga të mbjellat dhe blegtoria, merrnin edhe të holla borxh, për të mbajtur fëmijët gjallë.Të gjitha familjet dardhare prisnin me padurim të hapej rruga e Amerikës e të ktheheshin kurbetllinjtë, të rronin e të punonin në Shqipëri. Kjo ishte dëshira e gjysheve dhe e nënave tona. Kurrë nuk i dëgjonim të thoshin : “Të hapet rruga e të shkojmë edhe ne në Amerikë!”

Në dhjetor 1947 Vasil Pani pati një vdekje të menjëhershme nga ataku i zemrës.”Megjithëse varrimi u bë me nderime të mëdha në Amerikë, - thotë Sotiri, - ne, familja e tij, nuk u ndodhëm pranë. Hidhërimi në familjen tonë, në farefis e në fshatin e Dardhës ishte i madh.”
Si mbaroi shkollën fillore, Sotiri shkoi në Korçë të vazhdonte shtatëvjeçaren.Vështirësia e udhëtimit nga fshati në qytet, si dhe kriza e pasluftes me mungesën e ushqimeve, të bukës në rradhë të parë, nuk i ndali këta fëmijë nga rruga e dijes. Edhe gjatë viteve që vazhdonte shkollën e mesme në Korçë, Sotiri çdo të shtunë kthehej në Dardhë, ku u përvishej punëve të stinës, gradinave me perime, kafshëve, bletëve. Në Korçë ai u njoh edhe me Margaritën, shoqen e jetës.
 
PRANE BUJQVE E BLEGTOREVE
 
Pasi mbaroi shkollën pedagogjike Sotiri u emërua arsimtar, por dëshira për të vazhduar më lart e çoi në Institutin e Lartë Bujqësor.
“Jeta e Institutit Bujqësor, - thotë Sotiri, - kaloi me mësime, praktika mësimore, me shoqëri.”
Mbasi mori diplomën e zooteknikut, me 1957, Sotiri punoi fillimisht në Devoll e më vonë kryezooteknik dhe shef i seksionit të bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv të Korçës. “Kontrolloja, - thotë ai, - 200 fshatrat e rrethit, ku përparësi i jepej përmirësimit të racave të kafshëve.” Ishte nje kohë shumë e ngarkuar për Sotirin, i cili, i “harruar” nëpër shërbime fshatrave, nuk kishte kohë të merrej as me problemet e familjes. Pikërisht në këtë kohë ai u fejua me Margaritën, mësuese nga Korça, dhe u martuan në gusht 1958. Në korrik 1959 familja e tij u gëzua me lindjen e djalit, të cilit i vunë emrin e gjyshit,Vasil. Nëna e Sotirit u sëmur rëndë dhe vdiq në shtator 1959, duke marrë me vete edhe gëzimin e nipit të vogël.
Sotiri  dhe familja e tij vinte ne Dardhe ne muajt e verës. Në katin e dytë të shtëpisë së tij ishte vendosur muzeumi i fshatit, që qëndroi i hapur deri në vitin 1991. Në muze ishin vendosur fotografi të periudhës së Rilindjes, të patriotëve dardharë Sotir Peci, Josif Pani, Vasil Pani e të tjerë. Ishte afishuar historiku i fshatit, përshkruhej festa e Krishtlindjeve, jepej historia e shoqërive dardhare në emigracion dhe ajo e Luftës NÇl, kuadrot që kishte nxjerrë Dardha. Muzeu vizitohej nga fshatrat rreth e rrotull, sidomos nga kampistët kur vinin për pushime gjatë stinës së verës, afërsisht 600 vizitorë në vit. Muzeumi u vendos në shtëpinë e Sotirit, jo vetëm se aty ndodhej një sallon i madh, por edhe sepse gjyshi e babai i Sotirit ishin dy emra që nderonin jo vetëm muzeumin e fshatit…Dardha në ato vite kishte gjallëri; përveç kampistëve, aty vinin çdo verë edhe dardharët me banim në Korçë ose në Tiranë, bashkë me fëmijet, fillonin si dikur piknikët, kremtimi i ditëve tradicionale të festave të verës, panairi dhe vallët tek sheshet e Shën Thanasit etj.

Nga viti 1967 deri me 1970 Sotiri punoi si kryetar i kooperativës së Vranishtit, në Devoll. Ai e kishte në gjak dashurinë për njeriun e thjeshtë, njeriun punëtor e të ndershëm. Megjithëse u rrit pa baba, qysh në vogëli u edukua me tri virtyte të cilat i formuan një karakter të qëndrueshëm dhe e ndoqën pas për gjithë jetën: me dashurinë për natyrën, me miqësinë dhe respektin për njeriun, me ndjeshmërinë ndaj halleve e derteve të kurbetit e të varfërisë. Ishte jehona e largët e të njëjtave ndjenja që ushqenin për vendlindjen gjyshi, Josifi, e babai, Vasili. Me vone Sotiri u emërua drejtor i shkollës bujqësore të Korçës dhe me 1970 ai u transferua në Tiranë, me detyrën e zv.drejtorit të Institutit të Kërkimeve Zooteknike, ku qëndroi
deri në vitin 1991. 
 
EDHE NJEHERE RRUGEVE TE KURBETIT
 
Në vitin 1991 Sotiri doli në pension. Amullia e viteve të para drejt demokracisë kishte tronditur edhe punën në Institutin e stacionet shkencore të Zooteknikës. Atë vit Sotiri shkoi në Dardhë e tërhoqi shtëpinë nga shtetëzimi, ashtu si dhe bashkëfshatarët e tjerë, punoi bahçet, mblodhi kumbullat e zjeu rakinë. Ai ndjehej i kënaqur larg tensioneve politike e fjalimeve. Në verë vinte në fshat Margarita me dy djemtë dhe nipin e vogël. I vizitonte shpesh edhe motra, Dhoksia, me fëmijët e nipërit.

Sotiri qëndronte në Dardhë nga maji në nëntor. “Ngado që të dilje, - thotë Sotiri, - nga rruga e Sinicës, e Arëzës dhe në Gradisht, kundërmonte era e çajit të malit që e kishte mbjellë Kiço Ceku…” Edhe sot të shkosh në Dardhë, vazhdon të ndihet ajo aromë anekënd tokave të fshatit. “Punët u vështirësuan, - thotë Sotiri, - aktivitetet ekonomike u mbyllën. Djemtë e mi, kur me pune e…, kur pa punë…E vetmja rrugë që na tërhiqte e na jepte një shpresë jete, ishte Amerika. Unë dhe motra ishim regjistruar nga babai, Vasili, si nënshtetas amerikanë që kur kishim lindur, kështu që na dolën shpejt dokumentet për t’u nisur…
Ishte një dilemë…Si të bënim?... Të iknim në Amerikë?...Të linim Shqipërinë?... Tiranën?...
Dardhën?... Të vinim e të ktheheshim?...Çfarë do të fitonim?... Babai kishte 50 vjet që kishte vdekur. Askush nuk na priste atje…”
Së fundi Sotiri vendosi dhe u nis për në Amerikë së bashku me djalin e vogël, Andrean, me 1994, ashtu siç kishte ardhur gjyshi Josifi me Vasilin me 1907. “Djali, - thote Sotiri, - puno këtu…, puno atje… Nuk më rrihej në Boston. Më merrte malli për njerëzit, për Dardhën. Si të bëja?...

“DARDHA BIE NEN DARDHE”
 
Më kujtohet 30 prilli 1995, dita kur u zhvillua ceremonia për përcjelljen e eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri, pas më tepër se 50 vjetësh të vdekjes së tij. U nisëm herët në mëngjes me tim shoq dhe, kur arritëm në Boston, shkuam pas grumbullit të madh të njerëzve që kalonin në heshtje nga parku i varrezave në kishë. Ishin çaste tepër emocionante. Më bëri përshtypje kortezhi i gjatë i shqiptarëve të vjetër e të rinj, ardhur nga shumë shtete të Amerikës, dhe shërbesa fetare në kishë, e kryer nga tri besimet fetare shqiptare në ShBA: ortodoks, mysliman dhe katolik. Ndër personalitetet që kishin ardhur nga diaspora e nga Shqipëria për të përcjellë Konicën e për të marrë eshtrat e tij, unë takova edhe dy persona të nderuar, dy bashkëfshatarët e mi, Teodor Laçon, ministrin e Kulturës, dhe Sotir Panin, të birin e Vasil Panit, që mbajti një fjalim në drekën e shtruar për nder të Konicës së madh, në restorantin “Pier 4” të Anton Athanasit.

Në gazetën “Dielli” 19 qershor 1943, botohej artikulli i Vasil Panit me rastin e 6-mujorit të vdekjes së Faik Konicës, i cili përfundon me këto fjalë: “ Si tërë bota, ashtu dhe trupi i Faik Konicës tani pret që të vijë paqja dhe të lirohet Shqipëria, sikundër i dëshironte zemra e tij, dhe ta përcjellim me të gjitha nderimet përkatëse në atdhe, në altarin e të cilit sakrifikoi tërë jetën e tij gjer në minutën e fundit të ditës 15 Shenendre, 1942.”
Mbas 53 vjetësh, është pikërisht Sotiri, i biri i Vasilit, i cili mban fjalën në drekën e përcjelljes së Faikut. “…Jam krenar, - tha Sotiri, - që ndodhem sot në këtë ceremoni të rëndësishme, këtu në Boston, me rastin e përcjelljes së eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Falenderoj kryesinë e federatës “Vatra” që më nderoi duke më dhënë fjalën…” “I mbeti merak Vasil Panit, mikut të ngushtë të Faikut, që nuk iu dha rasti të shpinte eshtrat e Konicës në Shqipëri”,- ka thënë Noli, në vitin 1948, në një ditë përkujtimore, në kryekishën e Shën Gjergjit…Midis Josifit, Faikut e Vasilit ka ekzistuar një miqësi e vjetër, që kur erdhi Faiku në Boston me 1909, miqësi dhe bashkëpunim për çështjen kombëtare, që vazhdoi deri sa ata jetuan. Josifi e Vasili punuan bashkë me Faikun, mësuan prej tij, duheshin dhe e respektonin njëri-tjetrin…

Në Boston Sotiri u njoh me shqiptaro-amerikanë të nderuar, që e mbanin mend Vasilin, si me Anton Athanasin, Petraq Minarin, Poll Ktona, Gloria Hill e Dorothea Ilia Hoëlls. Ai u njoh gjithashtu me dardharët e vjetër, disa prej tyre lindur e rritur në Amerikë nga prindër dardharë: Vika Gallani, Kostandina Tabaku, Marianthi Panori, Lefkothe Vishnja, Pali Ktona, Lisa Stefani, Cesta Kojnari e të tjerë. Ata të gjithë e pritën me gëzim e dashuri ardhjen e familjes Pani në Boston, duke kujtuar me respekt e mall Vasil Panin, i cili atyre u dukej sikur ishte kthyer përsëri në jetë. Ishte shpirtbutësia dhe zemërdhembshuria e birit të Dardhës, Sotirit, që tërhiqte jo vetëm dardharët, por edhe bashkatdhetarët e tjerë të Bostonit.
Nëpërmjet bisedave me shqiptaro-amerikanët ai mësoi ngjarje e detaje interesante nga jeta e babait, Vasilit, dhe gjyshit, Josifit.
Me urtësinë e mençurinë që e karakterizon, Sotiri përpiqet të edukojë jo vetëm djemtë e tij, por edhe të rinjtë e tjerë me traditat e mira që ka trashëguar familja shqiptare: dashuria për njëri-tjetrin, marrëdhëniet dhe sjellja e fëmijëve me prindërit, toleranca në familje, duke iu përshtatur mënyrës amerikane të jetesës.

…Shtëpia e familjes Pani në Kuinsi është kthyer në një muzeum të vërtetë: koleksione të gazetave “Dielli”, libra të vjetër historikë, fotografi të Dardhës e të personaliteteve të kombit, relike me vlera muzeale, fotografi të familjes, videokaseta e kaseta me regjistrime nga Dardha e nga vise të tjera të vendlindjes, të cilat Sotiri i vë në dispozicion të gazetarëve e studiuesve sa herë që i kërkohen.
Duke lexuar historinë e “Vatrës”, ai është i ndërgjegjshëm se sa sakrifica ka bërë gjyshi dhe babai i tij për çështjen shqiptare. Disa orë në javë ai i kalon në bibliotekën e Bostonit ku shfleton gazetat “Kombi”, “Dielli” e “Liria”, zgjedh materiale mbi veprimtarinë patriotike të dardharëve dhe bashkatdhetarëve të tjerë. Sotiri i është përveshur punës, duke mbledhur shkrimet për të atin e të gjyshin duke shkruar librin “At e bir për mëmëdhenë”, që do të mbetet një dokument me vlerë për familjen e shoqërinë. Ky gjest, sa i rëndësishëm aq dhe human, për t’i nxjerrë kujtimet familjare nga harresa, është një shembull i vyer për emigrantët shqiptarë sot në Amerikë e kudo gjetkë.
Me iniciativën e Sotirit, Jani Melkes e dardharëve të tjerë, u ringrit përsëri shoqëria dardhare “Mbleta” në Boston, kryetar i së cilës, dikur, ishte i ati, Vasili. Sot Sotiri është zëvendës kryetar i “Mbletës”, shoqëri e cila zhvillon një aktivitet të larmishëm për t’i mbajtur pranë bashkëfshatarët, në familjen e madhe dardhare, duke ruajtur traditat e fshatit e duke ia përcjellë kulturën brezit të ri. Andrea Pani, i biri i Sotirit, një djalë i apasionuar pas gjyshërve dhe të atit, ndihmoi me hapjen e një ekspozite me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së Sotir Peçit. Po atë ditë, në katedralen e kishës së Shën Gjergjit në Boston, u mbajt një meshë, ndërsa për jetën e veprën e Peçit foli Sotir Pani.

Sotiri mban lidhje me shoqërinë “Vatra”, e cila sot e ka selinë në Nju York. Drejtuesit e “Vatrës” erdhën si delegacion me rastin e përkujtimit të 50-vjetorit të vdekjes së Vasil Panit, vendosën lule mbi varrin e tij dhe shtruan një drake përkujtimore në një restorant të Bostonit.

ZEMER QE RREH NE DY KONTINENTE
 
“Kur më zë gjumi, ëndrrat i shoh në Dardhë”, - përsërit herë pas here Sotiri, - mendja aty më rri, tek shtëpia ime, që pret t’ia hap portën, tek korija e ahut, te rrugët dhe tek ata pak njerëz që kanë mbetur në Dardhë…”

Sotiri e Margarita shkojnë shpesh në Shqipëri, kalojnë kohën e verës në Dardhë, çmallen me natyrën e bukur dhe njerëzit e afërm.
Sa herë kthehet nga Shqipëria, Sotiri i sjell videokasetat plot me pamje interesante nga fshati i tij, pa harruar të regjistrojë kazanët që ziejnë rakinë dhe festat popullore të fshatarëve. Pa harruar të sjellë edhe disa bimë si lule shëngjini, aguliçe e bërthama kumbullash, të cilat i ka mbjellë në kodrën e Kuinsit, Mass. Një merak që i ka mbetur dhe që e përmend gjithnjë, është dëshira për të ngritur muzeun e fshatit në sallën e madhe të shkollës së Dardhës. Por thirrjes së tij nuk i afrohet asnjë bashkëfshatar. Dhe Sotiri psherëtin dhe e ndien veten keq, se e di që s’ka aq forca sa ta përfundojë këtë punë vetë. Kur kthehet në Boston, vazhdon e njëjta histori. Ai ka mjaft dëshira e projekte për ta ringjallur jetën e emigrantëve shqiptarë të Massachusettsit. “Shqiptaro-amerikanët duhej të kishin ngritur me kohë një muzeum në Boston, - thotë Sotiri, - ku ka pasur një aktivitet të pasur të shqiptarizmës, që nga fillimi i shekullit të kaluar e vazhdon deri sot.  Mbase diçka mund të bëjmë ne, emigrantët e posaardhur e, po nuk e bëmë ne, shpresat janë të vogla për ta realizuar brezat e ardhshëm.”

Sotiri dëshiron që shqiptaro-amerikanët të mos ndikohen nga dallimet partiake të Shqipërisë, përkundrazi, vëllazërimi e uniteti i tyre këtu në diasporë, duhet bërë një shembull
rrezatues për atdheun.
 
DY DHOKSITE
 
Në një nga ditët e nxehta të gushtit 2004 i telefonova në Vorcester Dhoksi Panit, një grua rreth të gjashtëdhjetave, vajza e vetme e Vasil Panit. Një ditë më parë ajo kishte pasur përvjetorin e parë të vdekjes së bashkëshortit, dhe ndoshta duhej t’i telefonoja një herë tjetër, por Dhoksia me siguroi se biseda rreth familjes së saj ishte një farë çlirimi nga dhembja shpirtërore e atyre çasteve.

“Më ngjan njëlloj sikur më iku dje Koçoja, - tha ajo e përlotur…, - E di? Më duket se edhe unë u ngjava gjyshes Dhoksi dhe mamasë Evriviqi, që na vdiqën burrat para kohe!”
“Nuk është njëlloj, i thashë, - sepse ti jetove 50 vjet me Koçon, kurse nëna jote vetëm një vit e disa muaj…”

Në kohën e çupërisë, Dhoksia, e rritur dhe e edukuar në familjen Pani, ka qenë një nga vajzat më të mira të fshatit dhe përmendej për bukurinë e saj të rrallë, për zgjuarsinë dhe
finesën.

“Më tepër rrija me gjyshen Dhoksi, që e thërrisja “mëma”, - tha ajo, - kur isha e vogël. Mamaja ishte vazhdimisht e zënë me punë. Kurse mëma Dhoksi rrinte ulur te vegja dhe unë e ndihmoja me lëmshet. Ajo punonte me shpejtësi dhe më mësonte se si endej shqiponja dykrerëshe në vijat e kuqe të qilimit.”

Mëmë Dhoksia i tregonte së mbesës kujtimet e saj për gjysh Josifin, se si ndajnatëherave, ai vishte kostumin e zi të leshtë dhe vinte një shami të bardhë në xhepin e majtë të xhaketës. Ishte ora kur ai takohej me burrat dardharë e bisedonin për politikë.
Duke qëndruar përditë me mëmën, Dhoksia vinte re se si psherëtinte ajo, ndonjëherë derdhte edhe lot kur kujtonte Vasilin, djalin e vetëm, në kurbet. “Kur ia shihja lotët, - thotë Dhoksia, - ajo i fshinte menjëherë, më merrte në prehër, më puthte e më thoshte se baba Vasili do të më dërgonte fustane të bukura nga Amerika…

“Bëja durim, - thotë Dhoksia, - kisha shpresë se babai do të vinte… Këtë ai ma shkruante në letra. Kur i lexoja letrat e tij, kuptoja se veç nënave, kisha dhe një njeri tjetër që më donte
…dhe unë i numëroja ditët…
Dardharja e bukur, pa mbushur moshën 17 vjeç, u takua me dardharin Koço Tollko, i cili sapo ishte kthyer nga Moska, ku studioi në konservator për operator zëri në kinostudio. Dy të rinjtë ranë në dashuri e vendosen shpejt të martoheshin.
Dhoksia, ashtu si dhe disa vajza dardhare para saj, theu zakonin e martesës me mblesëri, gjë që bëri përshtypje të madhe në farefisin e saj e në gjithë Dardhën. Pas martesës çifti i ri shkoi në Tiranë. “Kisha një martesë të lumtur, - thotë Dhoksia, - kush ishte si unë? Rritëm dy fëmijë si pëllumba, Marjetën dhe Alfredin. U martuan fëmijët e krijuan familjet e tyre. U bëmë gjyshër. Erdhëm me Koçon e fëmijët në Amerikë. Ishim prindër e gjyshër të lumtur…Por vdekja që na erdhi kaq papritur…, e preu çdo gjë përgjysmë…”
Por Dhoksia gjen ngushellim tek nipërit e mbesat. “Oh, ata janë njëri më i mirë se tjetri, ç’të të them, - qeshet ajo, - dhe, më e rëndësishmja, ata më të vegjëlit, që janë lindur këtu, ne Amerike, kanë mësuar shqipen, recitojnë vjersha… Ata më të rriturit, që kuptojnë më shumë, e mbajnë te koka e krevatit fotografinë e gjysh Vasilit dhe mezi presin ditën e 28 Nëntorit kur e gjithë familja jonë udhëton për në Kuinsi, në shtëpinë e Sotirit, të kremtojmë së bashku ngritjen e flamurit.

E dija se nipi më i rritur i Dhoksisë, Herdi 20-vjeçar, i apasionuar e me talent për muzikën, bën pjesë në bandën e qytetit të Vorcesterit, Mass. Ai u bie pesë veglave muzikore dhe vazhdon studimet për muzikë në kolegjin e Berklit në Boston.

“Ai e kujton Dardhën më mirë se të tjerët, - thotë Dhoksia, - ëndrra e tyre është që të shkojnë edhe një herë e të vizitojnë fshatin e dashur.”
Më kishin thënë dardharët e moshuar të Vorcesterit se, kur e dëgjonin Herdin, stërnipin e Vasil Panit, krenar, me atë kostumin e bukur, të luante në bandën e qytetit, kishin kujtuar me nostalgji bandën e shoqërisë “Vatra”, në Boston, në fillim të shekullit të kaluar, të krijuar nga muzikologu dardhar Thoma Nashi, e cila ngrinte lart frymën e atdhedashurisë të shqiptarëve të mërguar.

(Përfundon në numrin e  ardhshëm)

 
Copyright © 2010 Gazeta Dielli. All Rights Reserved