| Gazeta “Dielli”, shkollë e shtypit të lirë për gazetarinë shqiptare |
|
NGA DALIP GRECA Dielli, në trashëgiminë e publicistikës shqiptare, meriton vend nderi. Parë nga ana profesionale,në këndin e lëvrimit të gjinive publicistike,gazeta njëshekullore e shqiptarëve të Amerikës, përbën një shkollë më vete për gazetarinë shqiptare. Ajo pati ndikim të rëndësishëm në shtypin e kohës dhe në faqet e saj dëshmohen gjurmët e historisë kombëtare.Në këtë kuptim ”Dielli” ngjason me një minierë me pasuri të rralla.
Në këndvështrimin profesional gazeta mbetet një model i pavjetëruar. Rubrikat e “Diellit” kanë qenë interesante dhe mbeten aktuale edhe për kohën që jetojmë. Rubrika të tilla si: “Ç’ngjet në botë?”; “Zyra e shtypit njofton”, “Kabllogram nga Tirana”,”Letra nga këndonjësit”, “Nga shtypi i Shqipërisë”,”Kryetari i Vatrës përgjigjet”, “Shënime editoriale”, “Bisedë me editorin”,”Pyetje-përgjigje me konsullin e Shqipërisë”,”Nëpër degët e Vatrës”,”Ta themi mes nesh”(rubrikë që lindi pas viteve ’50) etj.,sillnin gjithmonë materiale të freskëta e nxisnin polemikat mes lexueseve dhe bashkëpunëtoreve dhe mbanin gjallë kuriozitetin e lexusve.?Rrallë gazetë ka ditur të vjelë mendimin e lexuesit për shqetësime të ndryshme në faqet e saj dhe të nxisë polemikat,si gazeta “Dielli”, e cila e ka shfrytëzuar mjaft mirë karakterin shpërthyes dhe polemizues të shqiptarëve, që nuk pranojnë askënd më të zot se veten. Në 25 vitet e para Dielli botonte shënimin, ku ftonte lexuesit të shfaqnin mendimete tyre, por me një kusht:”Pa e kaluar gardhin e problemit të hedhur për diskutim”! Një përvojë tjetër që sjell “Dielli” qëndron në fushën e gjinive publicistike: hartimi i lajmit të shkurtër, komenti përmes fakteve, analiza problemore, pamfleti, kronika, skica, fejtoni, intervista, mendoj se sjellin përvojë me vlera edhe për sot. “Dielli” ka praktikuar shpesh njoftimin e shkurtër; gati një lajm – një radhë.Citojmë disa shembuj nga numëri 4036 i “Diellit” të 10 janarit 1928:”Prefekti i Gjirokastrës, z. Rexhep Jella u transferua në Korçë, dhe prefekti i Korçës,z.Zef Kadarja,u transferua në Gjirokastër”. Me kaq lexuesi e ka marrë informacionin,përkundër dukurisë që ndodh sot në shtypin shqiptar, ku gazetarët me një të dhënë të tillë nxijnë gjysmën e faqes së gazetës, në mos më shumë.Ose lajm tjetër në numrin pauses, 4037:” “Theatri i ri i filmit, që që u ndërtua në Korçë është më i madhi në Bllkan. Ai ka 900 frona (vendeuleje).Me kaq mbaron lajmi. Ose njoftim tjetër njëradhësh:”Zoti Sefer Prishta shkon në Shqipëri”.”Z. Gjon Mili doli nga spitali shëndosh e mirë. Këtë javë ishte në Boston”. “Zoti Hamit Rabia doli shëndoshë nga spitali.” Po kështu ndodh edhe me shkrimet kronikë.?Informacioni nuk përzjehej me komentin; psh kur jepet lajmi se në kthimin nga vizita që bëri në Shqipëri Ministri i Shqipërisë në Washington. Z. Konica, u ndal në Romë dhe u takua me kryeministrin Musolini,”Dielli” nuk stërzgjatet në komente,vetëm informon (Shih: “Dielli” 29 janar 1929); Ose kur jep një lajm që nuk e ka burimin të sigurtë shënon se lajmi ende nuk është verifikuar (psh lajmi për internimin e opozitës ruse (”Dielli” mars 1929). Gazeta “Dielli” ka qenë një shkollë e vërtetë për t’i edukuar shqiptarët me frymën kombëtare, siç ka qenë dhe një mësues i duruar për t’u mësuar emigrantëve analfabetë mësim e këndim shqip.Një ndër shembujt që tregon se gazeta ishte shkollë për të mësuar shqipen e shkruar,është Gjon Mili. Gazeta e prezanton Gjon Milin në numrin e vet të 25 majit 1928 në faqen e dytë. Prezantimi e merr spunton nga një përrallë me titullin “Endërr” që ka përkthyer nga rumanishtja në gjuhën shqipe Gjon Mili. Me këtë rast redaksia bën këtë prezantim:”Zoti Gjon Mili,ish arkëtar i Vatrës, i rritur në Rumani, kur erdhi në Amerikë, nja pesë vjet të shkuara (duhet të ketë qenë viti 1923), nuk e dinte mirë shqipen. Po të marrim atë gjë në sy, do të shohim nga përralla e përkthyer se përparimi që ka bërë me shqipen është me të vërtetë për të vënë re”, shkruante “Dielli”.?Në fakt përkthimi i përrallës, që është botuar i plotë në faqet e Diellit, shquhet për një shqipe e pastër dhe të pangarkuar me fjalë të huaja. Përralla zë një kolonë e gjysëm në faqen e tretë të gazetës të numrit të publikuar me 25 majit (1928). Më pas Gjon Mili ndeshet në kronikat e “Diellit”, veçanërisht në koleksionet e viteve 1928, 1929, 1930. Ai herë del reporter në mbledhje të degës 42 Vatrës në Pitsburgh, PA, herë Chairman, herë sekretar, e deri dhe pjesëtar i komisioneve kulturore ose fondmbledhëse, siç ishte rasti kur u shfaq një film që e kishte sjellë konsulli George N Prifti nga Shqipëria, ndërsa të ardhurat shkuan për Kryqin e Kuq Shqiptar. Në mars 1930 mësojmë se ai është në Boston, pas një problemi shëndetësor,që e kaloi me një shtrim në spital. **** “Dielli” ishte ungjilli i shqiptarëve të Amerikës,të cilët të mbledhur rreth Vatrës, e kthyen atë në një busull orientuese në kohë të trazuara,kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës.Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin, orientimin, guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetsisë dhe gazetarisë shqiptare. Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij sa ironik aq dhe sarkastik; e më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues,por dhe plot elegancë të Faik Konicës,pasuar nga Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Rafat Gurrazezi, Qerim Panariti, Nelo Drizari, Xhevat Kallajxhiu, Athanas Gega e deri tek Anton Çefa. Mbi të gjitha Faik Konica, i mbiquajturi ”babai i gjuhës shqipe” solli tek “Dielli” shkollën e madhe të Albania-s, ç’ka shërbeu në rritjen e standardeve të profesionalizmit të “Diellit”. Duke shfletuar koleksionet e “Diellit”, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës.Lënda që rrjedh në faqet e “Diellit” i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje. *** Natyrisht që në faqet e “Diellit” janë dhe gjurmët e marrëzive të shqiptarëve, gërrmerreve për hiçmosgjë,grindjeve për pesë para spec, kritikave të ashpra, mospajtimeve edhe për gjëra elementare. Në koleksionin e “Diellit” gjen me tepri polemikat e pafundme, që harxhonin aq shumë energji, saqë po të ishin orientuar në kahjen e duhur, do të kishin bërë mrekullira dhe vetë Vatra do të kishte pasë më pak telashe e më shumë fuqi si shërbestare e Kombit. Gjatë është polemizuar mes palëve të kundërta për Fan Nolin, veçanërisht pas rënies së tij nga froni i kryeministrit dhe emigrimit në Europë. Përveç mospajtimeve politike,që e akuzonin Nolin si mbartës i fantazmës komuniste,u hapën edhe debate pa “bukë” siç ishin ato nëse kishin apo jo vlerë përkthimet e Nolit nga Shekspiri. Për më shumë se një vit kanë vazhduar polemikat mes përkrahësve të Nolit dhe kundërshtarëve të tij për përkthimin e tragjedisë “Hamleti”. Kështu psh në numrin e 6 janarit të vitit 1928, sekretari i degës 56 të Vatrës në Boston,Sotir Katundi,shkruante se “përkthimet e Nolit nuk i shërbejnë letërsisë, por ai e ka bërë këtë vetëm për t’u rrëmbyer ca dollarë disa gjysmakëve.” Kritika e Katundit përshkohej nga tone inatçore dhe fjalor i papërshtatshëm për Imzot Nolin, kur shkruante se ” Dhelpra plakë, Noli ynë, e dinte që koha ende nuk kishte harrirë,që të përktheshin vepra klasike, mirëpo qe nevoja e madhe për ca para…Dhe kështu dordoleci i njohur nuk humbi kohë dhe na dolli me reklamat e tij bombastike:”Vepra klasike, Sheakspeare-iane…!” Letërshkruesi e mbyll aktakuzën e vrerosur me parashikimin, që natyrisht nuk i doli,se këto përkthime do të zinin pluhur e askush nuk do t’i zinte me dorë. Debati duket se ka filluar më herët se sa viti 1928 nga e sollëm citimin, sepse në një letër të nëshkruar nga Shefqet Bença dhe botuar në numrin 4036 të “Diellit” thuhet se “Ndonëse kemi 3 muaj që ngjiremi duke biseduar për “Hamletin” që ka masakruar Noli ynë, bisedimi qëndron prapë atje ku ish qëkurse u hap.Ky moskuptim vjen nga që nuk kemi marrë vesh edhe pse bisedojmë.” Sipas Bençës,veprat e Shekspirit janë mjaft të vështira ose të pamundura fare që të përkthehen.Shqipja jonë nuk ka fjalë të mjafta që të japin kuptimin e gjithë fjalëve të inglishtes që ka përdorur dramaticieni englez. Kjo gjë është e njohur dhe nga i vetmi shkrimtar shqiptar, Z. Konica. Pas kësaj vjen paralelizmi përçarës i autorit të letrës: ”Kurse një shkrimtar i vërtetë, si Konica, pranon se përkthimi i dramave të Shekspirit është mjaft i zorshëm, një shkrimtar çitak, si Noli ynë, nuk mund t’i kuptojë dot fare. Dhe si provë të moskuptimit të tij kemi numëruar ndonja një mijë gabime, ku shkrimtari Fan Noli, në disa vende nuk ka ditur mirë shqipen, dhe në shumë vende të tjera,nuk ka kuptuar dot anglisht!” Sulmet vazhdojnë dhe tema për Hamletin qëndron e hapur thuajse për 15 muaj replikohet për dilemën: Jo të rrosh a të mos rrrosh, por a e ka përkthyer mirë Noli Hamletin apo jo! Disa vënë edhe baste me 100 dollarë pasi të ngrihej një komision prej tre vetash. “Dielli” ka botuar edhe reagim nga pala mbrojtëse,e cila kërkon që të mos ngatërrohen gabimet dhe idetë politike të Nolit me përkthimet e tij. Ismail Mevlani,sekretar i njërës prej degëve të Vatrës, replikon njëherazi me shumë prej kritizerëve: Hamdi Lumit, i kthen përgjigjen se Noli i kishte mësuar Lumit ABC-në, dhe nuk i kishte hije të diskutonte nivelin e përkthimeve të mësuesit të vet. Për Sotir Vasil Katundin,thotë se e njeh mirë këtë njeri që s’sheh nga sytë as në shqip as në anglisht (Vini re stilin e replikës ”S’sheh nga sytë!”); Shefqet Bençën e quan fonograf të Rohd Islandit dhe kritikat ndaj Nolit i cilëson personale. Ky debat ndeshet përgjatë tre muajëve të fundit të vitit 1927 dhe përgjatë të gjithë vitit 1928. *** As viti 1929 nuk solli paqe mes Nolit dhe “Diellit”, ndërkohë që për Konicën ka editoriale, ka fotografi që zënë të gjithë faqen e parë, ka shkrime lëvduse, ka një vëmendje të jashtzakonshme, përsa kohë Nolit ia kishin mbyllur portën. Kështu psh, vizita e Konicës në Shqipëri në Vjeshtën e dytë të vitit 1928 (24 tetor) është përcjellë me detaje nga “Dielli”, që nga nisja në Boston, i përcjellë prej Konsullit George Prifti dhe kryetarit të Vatrës, Aqile Tasi, pritja madhështore me ceremoni zyrtare brenda në vapor në Durrës,pa zbritur fare në tokë, prej Ministrit të Drejtësisë Hyqmet Delvina e adjutantit të Mbretit, nënkolonel Seregji, pritja tek prefekti i Durrësit, ku ishin edhe Abdurrahman Krosi, Fazli Frashëri dhe Ymer Fortuzi etj. Në port kishin nxjerrë një detashment marinarësh për nder të Ministrit Konica. Vetë Mbreti i dha audiencë Konicës, pa zënë ende vend në hotelin Kontiental, ku ai pushoi gjatë kohëqëndrimit në Tiranë. Mbreti ia njihte sqimën prej beu Faikut,ish kundërshtarit të tij të rreptë, ndaj ia bëri nderet në shkallën sipërore absolute. Ndërkohë që kryeministri Koço Kota, do t’i bënte vizitë kortezie në hotel menjëherë sapo Konica ishte larguar nga Mbreti. ”Dielli” nuk harron ta ndjekë ikonën e vet dhe të Vatrës, Konicën edhe në pritjen që dha për të Bashkia e Tiranës,që e nderoi kryediplomatin me të gjitha nderet, edhe paraqitjen e tij në Parlament etj. Deri sa u kthye në SHBA në shkurt të vitit 1929, “Dielli” e përshkroi me hollësi vizitën. Gazeta do t’i hapte faqet e veta për këtë vizitë edhe përgjatë dy vjetëve, ku Konica botoi mbresat e tij nën titullin ”Shqipëria si m’u duk”. *** Po ç’ndodhte ndërkohë me themelusin e “Diellit”, Nolin? Kundërshtarët e tij, të cilëve u printe Gurazezi si editor, e sulmuan Nolin në më shumë se një herë në çdo numër të gazetës që gjatë këtyre viteve dilte dy herë në javë. Kulmi i sulmeve arrin në vitin 1930. Kthimi i Nolit sërish në Amerikë e gjeti “Diellin” të inatosur e të armatosur me armë të rënda dhe sulmet qenë të ashpra, ku nuk munguan as akuzat,as fyerjet.Herë më shënime editoriale, herë me “Letra nga këndonjësit”, herë me mbështetje të editorit, Noli u kthye në një tabelë qitjeje, ku provonin penën kush të mundëte. Me tituj bombastikë ”Noli s’heq dorë nga gjakderdhjet” (Editorial i numrit të 16 majit 1930), “Inat prej mushke”, editorial me 20 maj-1930, për të vazhduar me “Letra nga këndonjësit”-“Nuk i kemi punët mirë me Nolin”, “Intrigat e Nolit”, editorial 27 maj 1930; ”Thotë se nuk është bolshevik”, “Lëverja e Vjenës dhe Noli” etj. ?As më pak e as më shumë, Noli kritikohet ashpër dhe konsiderohet si armik i Shqipërisë. Edhe pse në këtë periudhë, ”Dielli” nuk boton reagimet e kundërshtarëve, me 27 maj ai i bën thirrje Nolit të përgënjështrojë publikisht akuzat. Me 6 qershor 1930 botohet editoriali “Qëndrimi i Vatrës”.Në të shkruhet se ka pasë ca reagime nga përkrahësit e Nolit (reagimet nuk janë në gazetë), por ne sqarojmë se nuk kemi nonjë mëri personale me Nolin dhe nuk e kundërshtojmë si armik personal, por e kundërshtojmë si armik të Shqipërisë.” Dhe pasi masakrohet kryezoti i Vatrës, vjen dhe një shkrim tjetër, ku ai sulmohet edhe si figurë fetare. Artikulli e ka titullin “Fantazma”, qershor 1930. Po në të njëjtin numër botohen edhe katër letra nga këndonjësit, ku tre janë me pseudonime dhe vetëm njëra ka emër, dhe ky është kryetar i degës së Vatrës, çami Veip Demi. Noli nuk denjon të shkruaj në “Dielli” si kundërpërgjigje, por ka zgjedhur gazetat e veta, që e përkrahin dhe meshat, ku i mblidheshin shumë besimtarë, për të dhënë opinionet e tij për ç’ka shkruante “Dielli”. Dhe si për t’u vënë kapak akuzave, Noli, sqarimet i jep në një intervistë, që i dha gazetarit të gazetës “Boston Globe” me 19 qershor 1930, që natyrisht u komentua me ironi nga Dielli, që e përfoli intervistën në numrin e vet të 20 qershorit 1930 me titullin sarkastik: ”Bolshevik-Republikan”. Gazetari amerikan,informon “Dielli” e ka pyetur Nolin nëse bën propagandë politike në kishë, siç e akuzon “Dielli”, apo jo? Noli ka thënë se ky është misioni i rikthimit të tij në Amerikë, propogandë me anë të fesë. Kur gazetari e ka pyetë se përse nuk i përgënjeshtron akuzat që shtron “Dielli” për marrdhënie me bolshevikët? Noli është përgjigjur se “Bolshevizma ishte një shaka për të, dhe se këtë gjë e bëjnë të gjithë në Evropë”. Pastaj, Noli i ka thënë gazetarit:”Unë jam Republikan.Po një republikan është kurdoherë bolshevik për një monarkist”. Akuza hidhej për pozitat e “Diellit” në favor të Mbretërisë në kohë mungesën e Nolit dhe në kohën e fushatës kundër tij pas kthimit. Pas këtij pohimi të Nolit vjen komenti i “Diellit”: ”Dmth,në këtë mes Noli tregohet si Bolshevik-Republikan dhe ruhet si ajo dhelpra plakë, që të mos bjerë në trap; kur është në Evropë e deklaron veten Bolshevik dhe punon sheshit për bolshevizmin, dhe tani që është në Amerikë, gënjen amerikanët dhe u thotë se është republikan sepse e di se Amerika i ndjek bolshevikët.” Këto polemika vazhduan gjatë dhe e mbajtën të ndezur konfliktin mes përkrahësve të Nolit dhe kundërshtarëve të tij. Polemikat që sollëm nuk e errësojnë ikonën e shqiptarëve të Amerikës, krijusine Kishës Autoqefale Shqiptare, krijuesin e “Diellit” dhe ideatorin e Vatrës, por si të gjithë shqiptarët e tjerët edhe ai kishte mangësitë e veta, prandaj duhet studiuar në kompleks. Balaca anon nga Noli ië, që i dha aq shumë Shqipërisë. “Dielli” është i pasur me replika. Natyrisht që nuk ishin vetëm polemikat për Nolin, që mbushnin faqet e “Diellit”. Me kritika të ashpëra është siluruar edhe ish editori i Vatrës Kostë Çekrezi, ose ish kryeministri Koço Kota, për të mos harruar edhe krijusin e shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Bej Vlorën, e të tjerë. Edhe pse polemikat shkaktonin një situatë të nderë dhe e mbanin konfliktin të ndezur, ato i dhanë nerv “Diellit”, që mezi pritej nga lexuesit. *** Thusjse të gjithë editorët i hapën faqet e Diellit për polemika dhe kritikat, që preknin si vatranët e thjeshtë ashtu dhe arkitektët e Vatrës, që nga editori i parë, At Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Efthim Natsi, Kristo Dakua, Paskal Aleksi, Deniss Kamburi, Kosta Chekrezi, Bahri Omari, Andon Frashëri, Aqile Tasi, Refat Gurazezi, Nelo Drizari,Petraq Tiko, Qerim Panariti (ky i fundit në janar 1944- edhe 49, fitoi dhe një çmim të tretë në një konkurs mbarëbotëror më 1947, qershor, ku morën pjesë 1000 gazeta në gjuhë të huaj), por nga ana tjetër gazetën e ka kaluar majtas. Në fakt ”Dielli” u konceptua si një gazetë e lirë, që kur nisi udhën me 15 shkurt 1909 si e përjavshme nën editimin e Nolit, dhe më 11 mars 1912, kur u bë pronë e Vatrës, dhe nisi të dalë dy herë në javë, apo me 18 nëntor 1914, kur nisi të botohet tri herë në javë, dhe më 9 nëtor 1915, kur nisi të dalë e përditshme; në kohë të mëvonshme, përfshi dhe vitet e tanishme, ka pasë probleme e ndërprerje dhe e ka humbur rregullsinë e botimit. Gjithësesi gazeta e mbajti të ndezur shpirtin atdhetar të vatranëve dhe vatranët e mbajtën gjallë “Diellin”, dhe siç pohon Nelo Drizari, një ndër editorët më elokuent të Diellit, (folesi i parë dhe ish shefi i parë i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” më 1942), një ndër studentët e parë shqiptar të gazetarisë në Universitetin e Kolumbias, të cilin e përfundoi në moshë 26 vjeçare, piktor dhe letrar, gjuhëtar e studius, autor i fjalorit anglish-shqip dhe shqip anglisht, dhe librit "Shqipja e folur dhe e shkruar. Doracak praktik", që në një shkrim kushtuar Faik Konicës, pohon se në kohën më të mirë gazeta ka pasur një tirazh që i kalonte më shumë se 10 mijë kopjet dhe lexohej në më shumë se 15 mijë lexues. *** Ndikimi i “Diellit” qe i drejtëpërdrejtë në shtypin e kohës, qoftë atë që dilte në mërgim, qoftë në shtypin brenda Shqipërisë. Dielli jepte dhe merrte me gazetat që botoheshin në Shqipëri apo në emigracion, shpesh dhe replikonte ashpër, ashtu siç replikonte kur prekeshin interesat kombetare nga shkrime te keq informuara në gazetat më në zë të Amerikës, si The New York Times apo Boston Globe. Pyetja shtrohet se si ndikonte “Dielli” tek gazetaria shqiptare e paraluftës, ku Amerika me Shqipërinë janë mijëra kilometra larg? Në fakt kush ka shfletuar “ Diellin” ka gjetur gjurmët e udhëtimit të gazetës në Shqipëri. Gazeta shkonte edhe në vendlindje përmes dy rrugëve; Së pari, përmes abonimeve dhe së dyti – shitjeve në treg.Kishte dy pika të mëdha shitjeje të “Diellit” në Shqipëri, në Korçë dhe në Tiranë, që të dy këto qytetet kanë pasur edhe korrespondentë të rregullt të Diellit; ishte Milto Gurra në Korçë dhe Xoxa në Tiranë. Korça e kishte korrespondentin e saj, që më 1909, kur Dielli kishte nisë të botohej për së pari, porn ë vitin 1928 me vendim të Kuvendit ai nisi bashkëpunimin me pagesë. Gjurmët e bashkëpunimit i gjejmë përgjatë viteve ’20 dhe mesvitet ‘30. Shumë vatranë kur ktheheshin në vatrat e tyre në vendlindje,e tërhiqnin “Diellin” me vete, veç kësaj kishte edhe abonentë të tjerë atje , që u dërgohej gazeta që nga Amerika.Në faqet e “Diellit” gjejmë jo rrallë shqetësime të editorit e menaxherit si dhe të kryesisë së Vatrës për rastet kur posta shqiptare nuk e kryente mirë shërbimin dhe vatranëve në Shqipëri u vonohej ose nuk u shkonte për shumë kohë gazeta. Raste të shqetësimeve të tilla i hasim në koleksionet e gazetës së viteve 1928-1929. Veçojmë një nga këto shqetësime të botuar në numrin e “Diellit” që doli më 18 maj 1928: ”Një lutje postës së Shqipërisë” titullohet komenti, në të cilin ndër të tjera shkruhej: ”Shumë anëtarë të Vatrës të ndodhur në Shqipëri dhe shumë abonentë të tjerë, na janë qarë se “Dielli” nuk u vete në rregull dhe se shumë herë nuk e marrin gazetën fare.Këta kanë arsye të besojnë se parregullsitë ngjajnë në zyrat lokale të postës. Zyrtarët kompetentë janë të lutur ta marrin këtë çështje në kujdes të tyre”, përfundon komenti vëzhgues. Ankesa të tilla gjejmë edhe në koleksionin e viteve 1930-35. Dielli kishte rubrika të veçanta për të sjellë shkrimet e gazetave të Shqipërisë për lexuesit e vet.Kryesisht gazeta e vatranëve në vitet ’20 këmbente lëndë me gazetën “Demokratia” në Gjirokastër,”Zëri i Korçës” në Korçë, “Shekulli i Ri” dhe “Oshëtima e Adriatikut” në Durrës,”Gazeta e Re” në Tiranë etj. Një nga cilësitë e “Diellit” të para Luftës së Dytë Botërore, ishte e maturia dhe saktësia në përcjelljen e informacionit. Gazeta ruante standardin e profesionalizmit duke cituar burimin e informacionit.Ishte kjo një nga arsyet që “Dielli” kishte emër të mirë dhe kishte fituar besimin e lexusëve jo vetëm këtu në SHBA, Kanada, Argjentinë, Australi, por edhe në Shqipëri. Rubrika e letrave të këndonjësve ishte tepër interesante dhe me një gjeografi të pasur që shtrihej nga SHBA, Kanada, në Shqipëri e Australi, Argjentinë e Itali, kudo ku kishte shqiptarë. Edhe korrespondencat jashtë Amerikës sjellin ngjarje interesante. Për hapjen e një rruge në Kurvelesh apo në Voskopojë kanë vazhduar diskutimet për tre muaj dhe vinin letra nga krahinat e vendlindjes, ç’ka tregon besimin e madh që kishin lexuesit tek gazeta se ajo do të ndikonte në zgjidhjen e shqetësimeve të tyre tek qeveria. Në vitet 1926-1939 Dielli ka pasur një qëndrim të patundur në mbrojtjen shtetit dhe e regjimit të Mbretit Zog dhe ka promovuar marrdhënie miqsore mes Italisë dhe Shqipërisë, por kishte dhe raste që nuk i kursente kritikat apo polemikat për probleme që nuk shkonin. Gjatë është polemizuar edhe me ligjin e Qeverisë Shqiptare që ndaloi për një kohë emigrimin e femrës shqiptare,qoftë edhe kur ato kishin të fejuarit apo burrat jashtë (1928). Pas Traktatit të Miqësisë mes ShBA dhe Shqipërisë, problemi merr zgjidhje në favor të femrave dhe “Dielli” duartrokiti “tërheqjen” e Qeverisë dhe të Parlamentit shqiptar me një shënim editorial. Dielli kishte korrespondentë dhe abonentë edhe në mërgatën shqiptare në Australi, Argjentinë, Kanada, madje këtu kishte abonentë massive, ngaqë kishte dhe degë të Vatrës. Edhe nga kolonitë vinin letra dhe korrespondenca. Kështu psh nga emigrantët korçarë, që jetonin në Australi, në fillim të viteve ’30, botoheshin letra-lutje që bashkatdhetarët e asaj krahinë të mos merrnin kotë rrugën e stërmundimshme se kontineti i largët po vunate krizën e papunësisë. Korrespondencat sillnin dhe lajme të mërgatës shqiptare në Botë. Psh një korrespondencë nga Argjentina flet për një ekspeditë interesante të tre shqiptarëve, që kishin vendosur të eksplornin vendet e Amerikës së Jugut dhe Amerikës qendrore e më pas atë të Veriut. Bashkëpunëtori i ndjek nga afër guximtarët shqiptarë siç i quan ai, të cilët u pritën deri edhe nga presidenti i Uruguajt apo personalitetet e Argjentisë dhe kur komuniteti shqiptar në Buenos Aires, kishte organizuar një pritje të ngrohtë dhe kishte mbledhur një shumë prej 126 dollarë në ndihmë të tyre. Ekspedita përbëhej prej një shqiptari nga Gjirokastra dhe dy nga Korça, të cilët vunë në lëvizje median gjatë vitit 1928 me aventurën e tyre. *** “Dielli” i ka festuar rregullisht përvjetorët e vet jubilarë. Gjashtëdhjetë vite të shkuara, tek festohej vitlindja e dyzet e “Diellit” , komisioni organizativ konstatonte se “Dielli", mund të thuhet pa frikë se mban rekordin e një gazete liberale me të tërë kuptimin e fjalës. Gazeta ka qenë e lirë dhe në shërbim të shqiptarëve. “Dielli” për shqiptarët e Amerikës ka qenë një shkollë e veçantë. Shumë nga këndonjësit e saj e kanë mësuar gjuhën shqipe nga Dielli.”, shkruhej në buletinin jubilar. Theksojmë se 40 vjetori i “Diellit”, ashtu si edhe 100 vjetori i sivjetëm, nuk u shënua me 15 shkurt, kur e kishte në fakt ditëlindjen e saktë, por me 14 tetor 1949. E njëjta gjë ndodhi edhe në festimin e 60 vjetorit të gazetës, në vitin 1969. Ky përvjetor u shty deri në 28 nëntor 1969, por ishte tepër madhështor dhe zgjati tre ditë., ku u organizua sesioni shkencor e ceremoni të veçanta, ku morën pjesë albanologë të njohur, studius dhe intelektualë të spikatur. Ky përvjetor u projektua që dy vite më parë (1967) nga drejtuesit e “Vatrës”, dhe u la në këtë datë për të përkuar me Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Atmosferën e këtij përvjetori, Martin Camaj, pjesmarrës në ceremonitë festive, do ta përjetësontë përmes një botimi special tek Shejëzat në numrat 12-13 , të vitit 1969. Në sesionin e parë, të zhvilluar me 28 nëntor, të drejtuar nga Dr. Hamdi Uruçi, u përcollën kumtesat e përgatitura nga studiuesit. Në mjediset e “American Hotel”, ku u zhvillua sesioni shkencor,u hap edhe një ekspozitë e përbashkët e dy mjeshtrave të pikturës,Ibrahim Kodra dhe Lin Delia. Atmosfera ka qenë tepër festive dhe shqiptarët janë mbledhur nga të katër anët e botës siç shprehej Camaj (me përjashtim të Shqipërisë së izoluar). Një ceremoni madhështore është zhvilluar në paradrekën e 29 nëntorit në Katedralen “Saint Patrick” të Nju Jork-ut, të mbushur plot e përplot me shqiptarë dhe arëbreshë. Mesha është dhënë në gjuhën shqipe.Asistonin vetë Kardinali Cooke dhe peshkopi Stefan Lasko. Monsinjor Zef Oroshi,famulltar i komunitetit katolik shqiptar në SHBA, mbajti lutjen e rastit. Parada që u zhvillua me atë rast ka qenë madhështore. Natyrisht që ky informacion nuk është i ri, është botuar edhe në Albumin special që bëri Vatra asokohe. Parada ishte mijëra vetëshe. Shqiptarët e Amerikës dhe arbëreshët e ardhur nga Italia parakaluan në Rockfeler Center në mënyrë madhështore, me kostume kombëtare të Shqipërisë dhe arbëreshëve.? Dhe kemi ardhur në 100 vjetorin e sotëm të “Diellit”. Një 100 vjetor paksa i heshtur, pa vetë “Diellin”, sikur ngjason me një dasëm pa dhëndrrin. Natyrisht që nuk është e drejtë që Dielli të ndërpresë botimin, por kjo para së gjithash i takon vetë Vatrës ta gjykojë. Qarjet që kanë nisë të bëjnë disa nëpër internet apo gazeta për mbylljen e “Diellit”, nuk sjellin zgjidhjen e shqetësimit. E rëndësishme është që të gjithë të kontribuojmë për ta bërë “Diellin” që të ndriçojë sërish. Dhe unë shpresoj dhe besoj se pas kësaj konference shkencore,”Dielli” do të ringjallet,e kundërta do të jetë e dhimbshme. Unë besoj në fjalën e kryetarit të Vatrës, z. Agim Karagjozi se “Dielli” do të rinisë sërish rrugën e tij të botimit. Shpresat i shton dhurimi bujar i kryetarit të Shoqatës ”Çamëria”. Ahmet Xhafo, që bëri dhuratën e parë një mijë dollarëshe, apo ndjekja e shembullit të tij me të njëjtën shumë prej z. Lekë Gojçaj dhe gatishmëria e të tjerëve. Këtu në sallën e konferencës kushtuar 100 vjetorit të “Diellit”, dhe jashtë saj, ka shumë burra dhe gra bujare që nuk do ta lënë “Diellin” të shuhet! Unë shpresoj!
|