|
Nga Lutfi Dervishi
- Ju falenderoj shumë që gjetët kohën për të dhënë këtë intervistë. - Koha për mua nuk është problem. Këtu ku jam i kam te gjitha, ujë, ushqim dhe vemendjen e njerëzve. Ju njerëzit vraponi në kërkim të kohës së humbur.
- Ju shoh pak të shqetësuar dhe nervozuar…
- Jo, jam i mërzitur me ju.
- Me mua? - Jo, me rracën tuaj. - Pse?
- Jeni mosmirënjohës dhe të pangopur. Kupën e Botës në futboll ia dhatë ekipit spanjoll. Kupën e meritoja vetë. Spanja fitoi 7 ndeshje dhe humbi 1. Unë i fitova me parashikimet e mia në 8 ndeshje. Jeni të pangopur, sepse kërkoni të fitoni sërish prej meje pa ju shkuar mendja se duhet të paguani për punën që kam bërë. Për më tepër ju edhe më kërcënoni për të më pjekur të gjallë në zgarë. Ky është inkuzicion i padëgjuar që nga koha e Xhordano Brunos
- Shoh që kanë marrë masa të forta sigurie.
- Po, por rreziku më i madh të vjen nga ata që janë ngarkuar të të ruajnë. - Pse nuk na tregon sekretin e parashikimit... - Në këmbim të cfarë? - Nuk do të kesh më kërcënime për të të bërë sallatë apo për të pjekur në zgarë. - Kaq pak më ofroni. - çfarë kërkoni ju? - Kërkoj të bëheni njerëz dhe të zini mend. - Njerëz jemi dhe mend kemi zënë. A nuk është fakt se ne ju besojmë verbërisht parashikimeve të tua?! - Ata që më besuan që në momentet e para dhe të gjithë ju që më besoni pas parashikimeve që kam dhënë, duhet t’u kërkoni të falur paraardhësve tuaj. - Pse? - Sepse u keni rënë në qafë me të padrejtë. Ju sot më besoni mua, ata dikur besonin e ardhuronin, drurët, gurët, statujat, zjarrin.. dhe ju i keni quajtur primitivë dhe jo inteligjentë. - Ne sot shohim më tepërn ga e ardhmja. Nuk na intereson shumë e shkuara. Po këtë shqetësim që keni mund ta adresojmë kur të hartohet vitin tjetër teksti i Historisë së Shqipërisë. Bordi i Ministrisë së Arsimit do ta miratonte pa debat kërkesën tuaj. Po a mund të kërkoj edhe unë diçka prej jush? - Vetëm parashikim mos më kërkoni... - Po, çfarë mund të kërkoj unë tjetër prej teje?! Kërkesa ime vjen në emër të publikut shqiptar, bëhet në emër të Transparencës dhe bazuar në Kushtetuetshmërinë. - Cfarë janë këto emra ekipesh? Ku luajnë futboll këta? - Jo, është një çështje më e rëndësishme! Ka të bëjë me fatet e demokracisë... Ne duam një parashikim që të fitojnë të dyja... - Po më vendosët përballë Transparencën dhe Kushtetuetshmërinë unë do të zgjedh njërën nga kutitë, nuk mund t’i zgjedh të dyja sepse nuk quhet parashikim. - Jo, prit të merremi vesh se me këtë variant nuk është dakord as Brukseli, as Burreli. Zgjedhja duhet bërë mes PD -së dhe PS-së, por parimi duhet të jetë që zgjidhja të përfshijë edhe Transparencën edhe Kushtetuetshmërinë. - Sa të komplikuar që jeni ju njerëzit. Pse i vjen rrotull? çfarë kërkoni? - Të na sqarosh duhet të hapen kutitë e zgjedhjeve apo jo? - Po pse e kërkoni prej meje këtë! Pse nuk e zgjidhni vetë. - Tani po e tepron dhe po flet me gjuhën e Brukselit. Edhe ata dridhen e përdridhen dhe në këtë shteg dalin: “Gjejeni zgjidhjen vetë”. - Po pse nuk e gjeni? - Kjo është një pyetje 1 milionë dollarëshe i nderuari Oktapod? - Po mirë nëse nuk merrni përgjigje me 1 milionë dollarë, kthejeni në euro? - Euro është në krizë për vete. - Pse ma komplikoni jetën. Më lejoni të shijoj këto vite që më kanë mbetur. Unë jam specializuar për parashikimin e ndeshjeve të futbollit. Kam edhe master nga UET. - çfarë është UET? - Universiteti Europian i Tiranës. - Po, atëherë qenka e thjeshtë Oktapod. Ju e njihni realitetin shqiptar. - Unë nuk kam qenë atje asnjëherë. Tani është sezoni i plazhit dhe kam lexuar në IPAD se ujërat e zeza i shkarkoni në det. - Si e keni marrë masterin atëherë? Ju e dini se ne kemi kërkesa rigoroze për cilësinë sidomos për cilësinë e arsimit të lartë të Universiteteve private. - Masterin e kam marrë on- line. - Po të na japësh zgjidhje për krizën politike që kemi do të ngremë një monument në qendër të Tiranës. - Të lutem mos më gënjej. Ju ende nuk keni miratuar planin rregullues të kryeqytetit dhe për më tepër në qendër të Tiranës keni vendosur monumentin e një njeriu që vetëm ka luftuar për 25 vite me radhë dhe nuk ka parashikuar asgjë. - Ju duhet ta dini i dashur oktapod se po nuk ndërhytë ju, nuk do të zgjidhet ndonjëherë kriza në vendin tonë. - E pastaj? - Më vjen keq t’u them, por jam ngarkuar t’u bëj të qartë pasojat që rrjedhin nga refuzimi. - Edhe ju po më kërcënoni. - Jo, unë jam thjesht lajmësi. Ne kemi kanunin e Lek Dukagjinit që thotë se “lajmësi nuk ka faj”. - Ju më folët pak më parë për Kushtetutën. - Me kushtetutën merret Komisioni i Venecias. Ne kemi Kanunin.. - Unë do t’i drejtohem gjykatës së Tiranës për kërcënimin që po më bëni. - Pse nuk i drejtoheni gjykatës së Strasburgut...?! - Jo. Po t’i drejtohem gjykatës së Strasburgut ata do më dëshpërblejnë me lekë, ndërsa gjykata e Tiranës, kam marrë vesh se dëmshpërblen me euro dhe gjyqtarët e kanë pak “dorën e rëndë”. - Edhe gjykatat tona, megjithëse profesionale dhe të pavarura janë të interesuara që krizën ta zgjidhësh ti, sepse ndryshe do t’u ngecë atyre në dorë. - Po çfarë të bëj unë? Unë parashikoj vetëm ndeshjet e futbollit. Po edhe kjo nuk është e lehtë. Për një ndeshje mu desh të “mendohesha” 70 minuta para se të zgjidhja fituesin. Ndoshta kjo që më kërkoni ju kërkon më shumë kohë. - Nuk ka problem, ne të presim edhe 71 minuta, nuk prishemi për këtë, vetëm duam që t’i japësh drejtim. - Cili televizion do ta tranmetojë drejt përdrejtë parashikimin tim? - Ne, në shqip i themi “transmetim live”? - Pak rëndësi ka. Kush do ta japë “digitalb” apo “tring”? - Do ta japin të gjithë televizionet se interesi është i madh... - Të gjithë televizionet shqiptare! Keni luajtur mendsh. Kërkoni të më merrni frymën. Janë 64 stacione televizive. Gjithë këto kamera mund të ndikojnë tek “antenat” e mia të brendshme dhe të ndikojnë në parashikim. - Mund të bëj një pyetje konfidenciale? - Pse këto deri më tani nuk ishin konfidenciale? Urdhëro të dëgjojmë. - A ka mundësi që parashikimi yt të jetë i tillë që të fitojnë të dy palët? - Mos o Zot! Qenkeni çmendur të gjithë në një ditë? është një lloj si të parashikoja se në ndeshjen Gjermani - Spanjë do të fitonte edhe Gjermania edhe Spanja! - Po në politikë është pak më ndryshe... - Ju njerëzit nuk paskeni mësuar asgjë nga politik
a. është njëlloj si futbolli. Bëhet ndeshja dhe fiton vetëm njëri. Ai tjetri që ka patur përballë humbet. Kjo nuk do të thotë se njëri fiton gjithmonë dhe tjetri gjithmonë humbet. Ndeshja e radhës të jep mundësinë që të fitosh. - Po mirë, mor Oktapod, por kur gabon arbitri? - Arbitri duhet të jetë i paanshëm dhe i pandikueshëm nga kompanitë e basteve. - A nuk erdhi koha t’i japim fund bisedës? - Për mua sa më shpejt aq më mirë. - Domethënë jeni dakord të bëni parashikimin? - Më parë duhet të di saktësisht se cilat janë pasojat për të cilat më folët më sipër? -.... - Ndryshe nga njeërzit unë nuk kam frikë. - Si të them, jam ngarkuar nga KQZ-ja në Tiranë, nga kryetari Arben Ristani dora vetë, që ka edhe mbështetjen e ambasadorëve se po nuk pranuat të arbitroni parashikimin e krizës atëherë... - ... atëherë. - Atë që nuk e kanë bërë gjermanët do ta bëjnë shqiptarët e urtë, të ndershëm, por mbi të gjitha punëtorë... - Domethënë do të më digjni në zgarë... - Më vjen keq, por kjo është pasoja në rast refuzimi. Procesi do të jetë ligjor, konform nenit 178 pika 6. Por është paraparë një rrethanë lehtësuese se do t’u gatuajnë në restorantin më të mirë të peshkut në Tiranë, është restorant i njohur nga të gjithë quhet “Rozafa”. - A mund të më sqarosh se çfarë keni menduar se duhet të bëj saktësisht? - Atëherë, procedura është e thjeshtë dhe ju e njihni mirë, do të jenë dy vazo qelqi. Në një vazo do të jetë portreti i kryeministrit të vendit zotit Berisha dhe në vazon tjetër do të jetë portreti i liderit të opozitës dhe kryebashkiakut të Tiranës zotit Edi Rama. Ti duhet të zgjedhësh një prej vazove dhe ne shpëtojmë nga shumë telashe... dhe mund të fillojmë menjëherë nga reforma zgjedhore. - Vetëm kaq....?! - Po, vetëm kaq. (Oktapodi mendohet pak, rrotullon këmbët në drejtim të pacaktuar dhe kthehet nga gazetari me një pyetje: - Si e kishte emrin ai lokali i peshkut?
|