Toogle template customization

Who's Online..

Now online:
  • 19 guests
E vërteta e Eloy Martinezit  E-mail

Carlos Fuentes

 

Shkrimtari dhe gazetari argjentinas Martinez ndërroi jetë më 31 janar 2010 në Buenos Aires në moshën 75 vjeçare.

 

E njoha Tomas Eloy Martinezin në verën e largët të vitit 1962. Ishim në një ballkon që shikonte nga rruga e Buenos Airesit, në shoqërinë e Augusto Roa Bastosit, Ernesto Sabatos dhe Francisco Petronit dhe po shihnim me admirim të ftuarën tonë, njw zonjë tepër të bukur, Galli-Mainini. Kishim frikë se ballkoni nuk do të mbante peshën tonë, ashtu si republika argjentinase qw po shkwrmoqej.

E braktisëm në emër të mbijetesës, por edhe pse rinia jonë ishte plot me projekte për jetën dhe punën dhe se nuk e meritonim të përfundonim të shtypur në trotuaret e Buenos Airesit, që për mua është qyteti më i bukur i Amerikës Latine.

Ballkoni nuk ra dhe  në 50 vitet e mëvonshme mundëm të shijonim një vepër, atë të Martinezit, të llahtarshme dhe shumë të bukur, të saktë dhe me fantazi. Një ripropozim letrar i asaj pyetjeje njerëzore dhe politike që e quajmë Argjentinë.

Nga romani i Peronit tek Purgatori, duke kaluar nëpër Santa Evita, Fluturimi i mbretëreshës dhe këngëtari i tangos, Martinezi na bëri të kuptojmë që nëse mund të shihnim vetëm përmes lenteve të historisë, do të ishim të terrorizuar. Për të kapërcyer frikën, romancieri që ishte - që është – Eloyi nuk e mohon historinë, por e bën të rijetojë, e transformon, e rishpik dhe e bën jo vetëm të dukshme, por edhe të kuptueshme.

Matinezi shkroi historinë e një vendi latinoamerikan që po mashtronte veten, që e imagjinonte veten europian, racional, të qytetëruar dhe që një ditë u zgjua pa iluzione, aq latinoamerikan sa Meksika apo Venezuela, brutalisht i egër si diktatorët e vet ushtarakë, thellësisht të korruptuar si politikanët e vet, të verbër si  të gjithë përballë hordhive të të varfërve që zbritën deri tek rrugët e Buenos Airesit, ku ende sot për të ngrënë mbledhin mbeturina në mesnatë.

Për të treguar gjithë këtë tek Pasioni sipas Trelewit, Eloyi u persekutua dhe iu desh të shkonte në mërgim. Romani i tij i fundit, Purgatori, është një sintezë  e shkëlqyer e terrorit, imagjinatës dhe shpresës së Argjentinës. Tek Purgatori vendosi të nxirrte në pah letrar një çështje themelore për politikën argjentinase : desaparecidosit dhe viktimat e veprimeve brutale të diktaturës ushtarake midis viteve 1976 dhe 1981. Veprime të quajtura, me një eufemizëm delirant, “procesi i

riorganizimit kombëtar”, që konsistonin në burgosjen e disidentëve, turturimin  e tyre në prani të grave dhe fëmijëve, në sekuestrimin e fëmijëve, duke u dhënë një emër tjetër dhe një familje tjetër, apo vrasjen e kujtdo që dyshohej se lexonte, mendonte apo vepronte ndryshe nga diktatura.

Një dhunim kaq i urryer, i personit mund të denoncohet në një gazetë, në një fjalim, në një protestë. Si mund ta futësh në një shtirje, kur realiteti shkon përtej imagjinatës letrare?

 

 

 

 

Purgatori tregon historinë e një gruaje, e bija e një argjentinasi të fuqishëm që mbështet diktaturën dhe që merr pjesë në argëtimet e veta, aq sa të ftojë Orson

Wellesin të filmojë Kampionatin Botëror të Futbollit 1978, ashtu si Leni Reifenstahl filmoi lojërat olimpike të Berlinit në vitin 1936, nën regjimin nazist. Emilia Dupuy, e bija e manjatit, martuar me një koreograf, Simon Cardoso, që për shkak të profesionit i duhet të udhëtojë gjatë e gjërë në atdhe për ta matur. Policia e diktaturës e ngarërron me një terrorist dhe e zhduk.

Ku ta kërkoje një desaparecidos? E dëshpëruar, Emilia ndjek itineraret e mundshme të burrit : Brazil, Venezuelë, Meksikë dhe në fund në ShBA, deri në ditën kur e rigjen në një qytet të vogël universitar të Nju Xhersit. Vetëm se ai kishte mbetur një burrë 30 vjeçar dhe shfaqja e tij do të shkatërrojë ekuilibrin e Emilisë : jeta me kujtimin e mungesës së burrit të vetëm që dashuronte. Një njeri që tash kthehet me një “buzëqeshje prej së largu”.

Nuk do të them më shumë. Po shtoj vetëm se Wellesi vuri si kusht për të realizuar filmin që ushtarakët të nxjerrin desaparecidosit, sepse në një roman, si në kinema, mund të rikrijosh të gjtha realitetet e mundshme, të imagjinosh atë që ende nuk ekziston dhe të ndalësh kohën.

Tomas Eloy Martinezi u përpoq dhe gjeti në roman realitetin që historia e harroi. Dhe meqë historia ishte ajo që të gjithë e njohim, letërsia na ofron atë që historia nuk ishte gjithmonë dhe ndonjëherë, atë që nuk e ke thënë kurrë.

Në veprën e Martinezit gjuha, mbartëse e dyshimeve, nuk mund të ndalet përballë ideologjisë, sigurisë fetare, konformizmit moral dhe palaçollëqeve poltike. Por një roman nuk mund të dominohet nga asnjë prej të katërtave. Përkundrazi, mund të paraqitë ideologji, fe, moral apo politikë si probleme, duke u hapur dyert pyetjeve, duke hequr çatinë e imagjinatës, duke zbritur në skutat e memories dhe mbi të gjitha, duke lënë dritaren hapur ndaj fjalëve të Paskalit : po vij që t’ju fut një dyshim.

Pasuria e kulturës argjentinase bie në kontrast me varfërinë e jetës së vet poltike dhe ekonomike. Është një enigmë që rishfaqet shpesh në veprën e Martinezit : përse, duke patur gjithçka, Argjentina rrezikon të mos ketë asgjë? Përse kultura e saj e fortë dhe e gjatë të mos i japë fuqi dhe vazhdimësi jetës së vet politike?

Nga jeta dhe vdekja, Tomas Eloy Martinezi na paralajmëron : kur të arrijmë të kuptojmë historinë tonë, mund të kuptojmë edhe humnerat dhe majat e saj dhe kështu të njohim të vërtetën.

Martinezi si pak të tjerë na afroi me të vërtetën, rrëshqitëse dhe të pafund si vetë liria.

 

Përktheu Arjan Th. Kallço

 
Copyright © 2010 Gazeta Dielli. All Rights Reserved