Toogle template customization

Who's Online..

Now online:
  • 23 guests
“Federata Panshqiptare ”Vatra” gëzon mirënjohjen e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri  E-mail

Intervistë e zv/kryetarit të Federatës Panshqiptare ”Vatra”, z. Agim Rexhaj dhënë editorit “Dielli”, Dalip Greca

Zv/kryetari i Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, z. Agim Rexhaj, ishte për vizitë në Kosovë dhe në Shqipëri. Gjat kësaj vizite ai u takua me personalitete qendrore dhe lokale dhe prezantoi veprimtaritë dhe historinë e shoqatës më të vjetër të shqiptarëv, themeluar nga Noli dhe Konica. Z. Rexhaj u takua me kryeministrin shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha si dhe personalitetet më të larta të Shkodrës, ku ai dorëzoi edhe çekun me 35 mijë dollarë që Federata Vatra u dhuroi shkodranëve të dëmtuar gjatë përmbytjeve.
Mbresat e kësaj vizite, z. Rexhaj i përcjell përmes intervistës, që i morëm pas kthimit në Nju Jork.

-Z. Agim , ju sapo jeni kthyer nga vizita në Kosove dhe Shqipëri.Cilat janë mbresat nga kjo vizitë?

Z. Agim Rexhaj:- Është vizita më mbreslënëse imja në këta 26 vjet emigrim në SHBA.Mbresat janë nga më emocionueset. Në Kosovë e Shqipëri “Vatra” gëzon respekt e mirënjohje. Realiteti është i prekshëm;  Kosova është pa pushtuesit serbë e paramilitarët që mbillnin vdekje, por Kosova është me shumë probleme dhe halle, me shumë korrupsion e varfëri, ndërsa Shqipëria duket gjithnjë e më e integruar dhe me ndryshime të shkëlqyera, pavarësisht debateve politike.

-Çfarë do të veçonit nga vizita në Kosovë. Si është gjendja atje? Çfarë presin shqiptarët e Kosovës nga shqiptarët e Amerikës.

Z. Rexhaj- Siç ua thashë në përgjigje të pyetjes së parë gjendja është për të ardhur keq, por shpresat për të ardhmen janë të forta. Ka shumë varfëri dhe pushtetarët e harruan të djeshmen e Kosovës së pushtuar dhe janë të përgojuar nga qytetarëve dhe media për korrupsion dhe largim nga premtimet elektorale. Në Kosovë ndjehet boshllëku që ka krijuar mungesa e presidentit historik të Kosovës, dr, Ibrahim Rugova. Klasa politike është larg vizionit të arkitektit të Kosovës së pavarur. 

Ajo ç’ka më ra në sy ishte mirënjohja për atë ç’ka shqiptarët e Amerikës dhe veçanërisht Federata Panshqiptare”Vatra” kanë bërë për lirinë e Kosovës. Në Kosovë “Vatra” gëzon emrin e mirë që ka dhe mirënjohjen e shqiptarëve të Kosovës, veçanërisht intelektualët e vlerësojnë maksimalisht rolin historik të Vatrës.

-Ndërkohë ju realizuat dhe një udhëtim në Shqipëri. Si ju duk Shqipëria?

Z. Rexhaj- Shqipëria është një mrekulli që ndryshon çdo ditë. Këtë herë e shijova në mënyrë të drejtëpërdrejtë mrekullinë shqiptare sepse udhëtova me makinë nga Prizreni në Sarandë. Jam magjepsur. Rruga e Kombit ta rrit krenarinë e të qenurit shqiptar. Gjatë të gjithë rrugës e ndjeja se pikërisht kjo rrugë na ka bashkuar ne shqiptarët. Emocionet që provova ishin të fuqishme, të papërshkrushme. Një autostradë tipike amerikane, me nga dy korsi vajtje-ardhje, me rrugë ekstra në të dy anët, rrugë e kualitetit të parë, edhe kalon majë malesh. Nuk e di se si mund të vlerësohet ndryshe, përveçse me notën shkëlqyshëm një qeveri apo një kryeministër. Një mrekulli më vete tuneli më i madh i Ballkanit, tuneli i Kalimashit me gjatësi 6.3 km. Nuk arrija të kuptoja nëse isha në Shqipëri apo në Amerikë tek përshkoja atë tunel plot drita.

Rruga e Kombit më dha një kënaqësi të jashtzakonshme. Unë isha vitin e shkuar gjatë përurimit të saj, por këtë herë provova një ndjesi të drejtëpërdrejtë tek e përshkova nga kilometri i parë në të fundit. Më ka qëlluar që në ditën më të gëzuar të jetës sime, në ditëlindjen, që e kam më 27 qershor; edhe vitin 2009, kur u bë përurimi, por edhe sivjet 2010 unë përshkova rrugën e Kombit. Një rastësi e gëzueshme për mua. Presidenti Rugova u pat thënë gazetarëve francezë tek e intervistuan se të ardhmen e Kosovës me Shqipërinë e mendonte një kafe në mëngjez në Prishtinë e një drekë në Tiranë. Unë po ju them se e provova vetë: Mëngjesine kam ngrënë në Sarandë, drekën në Tiranë dhe darkën në Prizren e gjumin në Pejë, pa u stërmunduar fare nga lodhja. Ja pra çfarë ka bërë rruga e Kombit. A ka afrim më të prekshëm se ky mes Shqipërisë dhe Kosovës?  Kam parë me sytë e mi në Ëeekend se si  shqiptarët e Kosovës bënin plazh në Durrës dhe në mbrëmje ktheheshin në Kosovë. Kam parë me mijëra makina me targa të Kosovës gjatë autostradës, kam parë të tilla në Durrës e në Sarandë. Kush mund ta mendonte këtë 10 vite të shkuara?

-Duke qenë se ju keni përshkuar Shqipërinë nga veriu në jug dhe nga jugu në Veri, si do t’i vlerësoni ndryshimet?

Z.Rexhaj- Shqipëria është zbukuruar. Qyetet janë rritur. Pashë se Tirana ishte bërë njësh me Durrësin, ishin bashkuar. Tirana është kthyer në metropol. I thosha vetes ; Po sikur të mos ishim izoluar 50 vite nga diktatura, ku do të  ishte Shqipëria? Gjithandej ndërtime fantastike. Vlora është fanatzi më vete, Saranda një perlë e vërtetë.

-Si nënkryetar i Vatrës u takuat me kryeministrin Berisha, si shkoi takimi dhe çfarë do të veçonit nga biseda me kryeministrin?
 
Z.Rexhaj- Kryeministri ka një vlerësim maksimal për Vatrën. E tregoi këtë edhe gjatë takimit. Më priti me një respekt të jashtzakonshëm, që natyrisht respekti vinte nga vlerësimi i tij për shoqatën 100-vjeçare, Federatën “Vatra.” E përshëndeta në emër të kryesisë dhe të gjithë vatranëve, në emër të presidentit tonë të nderit z. Karagjozi dhe kryetarit dr. Gjon Buçaj. I thashë se ndjehesha krenar që isha pjesë e Vatrës, kësaj Federate që lindi para shtetit të pavarur shqiptar, që siç thoshte Faik Konica luajti rolin e shtetit të munguar shqiptar në vitet e vështira të pas Luftës së Parë Botërore,  të kësaj shoqate që u priu proceseve demokratike, e mbështeti Partinë Demokratike të z. Berisha, mbështeti qeverinë e saj, ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në integrimet Europiane, si forca më progresiste. Vatra është përherë pranë Shqipërisë dhe Kosovës me ndihma, kontribute, deklarta, veprimtari. I thashë dr. Berishës se “Vatra” ju çmon dhe ju nderon. E falenderova edhe për ç’ka ka bërë ai dhe shteti shqiptar për Kosovën. Si shqiptar i Kosovës e falenderova shuëm për çka kishte bërë Shqipëria për vëllezërit e motrat e veta kosovare gjatë viteve të vështira të luftës, ku dyert e shqiptarëve të shtetit amë mbetën të çelura dhe sofrat bujare të shtruara. E falenderova z. Kryeministër për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën përmes rrugës së Kombit. Në fund i thashë se kam shumë falenderime, por do ta mbyll z. Kryeministër me këtë falenderim: Me 23 gusht 1999, dy muaj pas çlirimit të Kosovës kam marrë një ftesë nga presidenti Klinton për të qenë i pranishëm në takimin në East Hampton Airport. Ishin rreth një mijë amerikanë në atë takim. Isha i vetmi shqiptar. Ndjehesha shumë i emocionuar dhe mbaj mend se në falenderimin që i drejtova presidentit Klinton, i thashë: Zoti president, faleminderit shumë për çka bëtë për Kosovën. Zoti Ju bekoftë Ju, familjen tuaj dhe SHBA! Po këto fjalë po ua drejtoj Ju dhe familjes tuaj, z. kryeministër i Shqipërisë për çfarë keni bërë për popullin shqiptar.

Në fjalën e tij kryeministri shprehu respektin për SHBA, për vatranët dhe Vatrën, rikujtoi vizitën e presidentit Bush në Shqipëri para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe premtimin e tij se Kosova do bëhej shpejt e pavarur. Ishte një bisedë e ngrohtë, kur kryeministri me detaje tregoi se çfarë ka bërë dhe çafrë synon qeveria që ai drejton. Natyrisht se ai informonte jo thjesht Agim Rexhën, por Vatrën e Shqiptarëve të Amerikës.

-Ju dorëzuat edhe ndihmat që “Vatra” mblodhi për të përmbyturit e Shkodrës. A mund të sillni detaje nga vizita juaj në Shkodër dhe ceremonia që organizoi prefektura e atjeshme?

Z. Rexhaj- Ministria e Jashtme u bë pjesë e kësaj ceremonie. Zoti Mal Berisha më shoqëroi në atë ceremoni. Vlerësimi qe i jashtzakonshëm. Prefekti i Shkodrës, z. Maxhit Cungu kishte organizuar një ceremoni të jashtzakonshme për Vatrën shqiptare. Në ceremoni ishin ftuar kryetarët të gjithë kryetarët e komunave . Ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka. Mjetet e informimit ishin aty. Ishte më shumë se sa një ceremoni; një bashkëbisedim mes Vatrës dhe shkodranëve. Vatra ishte e respektuar në Shkodër, ndërsa gazeta Dielli kishte lexues të saj atje. Në fjalën time, unë u thashë shkodranëve se këto ndihma, prej 35 mijë dollarësh, nuk përbëjnë ndonjë shifër të madhe, por zemrat e vatranëve ishin pranë jush në çastet e vështira të përmbytjeve. Ne vatranët u ndjemë mirë kur ekipi i qeverisë me kryeministrin Berisha në krye, ekipi i prefekturës dhe bashkisë me komunat e zonave të përmbytura, arritët që ta përballonit situatën e  vështirë dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme, nuk pati asnjë viktimë.

E prezantova Vatrën, historinë e saj, qëndrimet e saj, angazhimet e saj për çështjen shqiptare, kontributin e jashtzakonshme për pavarësinë e Kosovës. Kam informuar për ndryshimet në Vatër, për lëvizjen për krijimine  degëve të reja, për botimin rregullisht të gazetës Dielli etj.
Ndërkohë u emocionova shumë nga fjala e prefektit Cungu, i cili foli aq mirë për Vatrën. 

U emocionova, kur kryetari i bashkisë së Shkodrës, z. Luka propozoi që ndihmat e dërguara nga “Vatra” të përdoren për ndërtimin e një parku simbolik me mjedise pushuese, të cilit t’i vihet emri”Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”. Një ide që do të diskutohet atje.

-Shkodra ka qenë e braktisur jo vetëm gjatë kohës së diktaturës, por edhe nga qeveritë e ardhura pas viteve ’90. A kishte ndryshime tani?

Z.Rexhaj- Natyrisht që Shkodra ka tërhequr vëmendjen e qeverisë Berisha dhe ka thithur investime, madje edhe nga ndërkombëtarët.
Shkodranet meritojne perkujdesje. Unë ndjehem borxhli ndaj Shkodrës, ashtu si shumë kosovarë ndjehen ndaj shqipatrëve të Shqipërisë gjatë bombardimeve të NATO-s. Në ceremoninë e organizuar u thashë të pranishmëve se në prillin e vitit 1999,  në kohën e bombarimeve të NATO-s, vëllai im, Bajrami u strehua në Shkodër. U bë një miting madhështor atë kohë në Shkodër. Isha dhe unë në atë takim dhe mbajta një qëndrim në emër të Vatrës. I falenderova shkodranët dhe gjithë shqiptarët për bujarinë e mikpritjen. Pas veprimatrive në prefekturë u shtrua një drekë në një vend piktoresk, aty ku lumenjtë që përshkojnë Shkodrën bashkohen për t’u derdhur në Adriatik. Ishte një vizitë e paharruar ajo e Shkodrës.

-Faleminderit për intervistën.
Z. Rexhaj- -Ishte kënaqësi që biseduam.

 
Copyright © 2010 Gazeta Dielli. All Rights Reserved