|
Nga Dalip Greca
27 qershori, me vendim të Parlamentit Shqiptar, është përcaktuar si Dita Memoriale e Tragjedisë Çame dhe si e tillë ajo ka hyrë në kalendarin e kujtesës kombëtare, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha viset kombëtare dhe në diasporë dhe si e tillë u përkujtua edhe gjatë qershorit të këtij viti.
Shoqata çame që vepron në Staten Island NY, ditën memoriale e përkujtoi me një veprimtari të veçantë. Në mjediset e Institutit Skanderbeg me 27 qershor, u organizua shfaqja e filmit dokumentar ”Ëndrra e Çamërisë”. Pjesmarrësit kishin ardhur jo vetëm nga Nju Jorku me rrethina, por edhe nga Filadelfia, NJ dhe CT. Mori pjesë edhe një grup vatranësh; kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj me bashkëshorten, anëtarët e bordit zotërinjët Zef Balaj dhe Zef Përndocaj, editori i Diellit me bashkëshorten, nënkryetarja e Shoqatës së Shkrimatrëve Shqiptaro-Amerikanë Iliriana Sulkuqi, mjekët aktivistë Adem Harxhi e Prrenjo Imeraj, inxhinieri Hamit Kasemi dhe veprimtarë të tjerë. Në fund të veprimtarisë, familaj Bollati shtroi nje kotejl të pasur me ushqime e pije.
Veprimtarinë e ndoqën përveç gazetës Dielli , edhe gazetari Beqir Sina i Bota Sot, Keze Zylo e TV Alba Life, Qazim Doda etj. Sekretari i shoqatës Cenko Brahimaj ka hapur veprimtarinë dhe ka ftuar për një minutë heshtje në nderim të viktimave të tragjedisë së tmerrshme që mori më shumë se 5 mijë jetë të pafajshme, nga të cilët 2700 të therur, të pushkatuar nëpër viset çame dhe 2400 të tjerë të vdekur gjatë rrugëtimit të përvujtur në kalvarin drejt Shqipërisë. Salih Bollati, veprimtari i njohur i çështjes çame, i cili ishte fëmijë në kohëtragjedinë e përgjakshme, familja e të cilit humbi shtatë pjestarë në atë masakër, në përshëndetjen drejtuar mysafirëve, ishte fjalëpak, por dhimbja i lexohet në sy, ndërsa brenga për moszgjidhjen e çështjes çame, e bën kritik e të rreptë ndaj shtetit dhe politikës shqiptare, që kanë bërë pak ndërkombëtarizimin e tragjedisë came dhe rikthimin e të drejtave popullsisë came. Për Salih Bollatin, problemi nuk qëndron vetëm në kthimin e çamëve në trojet stërgjyshore, por ai kërkon nga shteti shqiptar, që ndërkombëtarizmi i çështjes çame, të synojë së paku në kërkimin e një ndjese greke për atë masakër që ende nuk i është tharë gjaku dhe heqjen e ligjit absurd të luftës me Shqipërinë prej Parlamentit grek. Bota e civilizuar duhet ta dënojë masakrën e fashistit Zerva, për të cilin edhe Perëndimi nuk e ngriti zërin, pavarësisht se anglezët e panë tablon e targjedisë me sytë e tyre.
Bollati e ka në kujtesë ngjarjen. Ai ishte fëmijë i vogël atë kohë kur ndodhi gjëma. Tragjedinë e kujton sikur të kishte ndodhur dje:”Ditët rridhnin në anormalitetin e tyre në atë kohë lufte të nxehtë. Një mëngjes herët qershori të vitit 1944, nëna e zgjon me tërsëllimë nga gjumi, ndërkohë që Saliu flinte në dyshekun e përbashkët me dy vëllezërit, Ferhatin dhe Farukun. Nëna në zgjimin e ngutshëm dukej tepër e shqetësuar. Në dhomën tjetër panë se motra Qerimani, po përgatiste boçen me rrobat. Nëna përgatiti nxitimthi motrën e vogël 2- vjeçare, Makbulen dhe u priu drejt shtëpisë së vëllait të saj, Muhametit, që ndodhej në qendër. Nga kodrat dhe kalaja, Saliu mban mend se vinin të shtëna mitralozosh dhe pushkësh. I priti Teto Nasibeja. Në një kohë trokitjesh me tërsëllimë, babai i Salihut, tek doli pa i veshur këpucët, me qëllim që të hapte derën, u rrëmbye nga zervistët dhe nga ajo ditë ai nuk e takoi më të ndjerin baba, që u masakrua së bashku me shumë burra e djem të tjerë. Mes dënesave dhe dhimbjes dolën për të shkuar tek shtëpia e gjyshit 82 vjeçar, Muharrem Efendia, por s’arritën të futeshin tek shtëpia e tij; pasi fqinjët u treguan se Efendinë e kishin tërhequr zvarrë nëpër shkallët e gurta dhe e kishin masakruar në oborr. Ku të shkonin? Morën drejtimin për në Medrese, por u përballën me një grup zervistësh. Nëna, si një klloçkë e dhembshur i mboldhi fëmijët rreth vetes dhe kishte filluar të shqiptonte lutje. Gryka e mitrolozit ishte drejtuar rreth tyre. Nëna shqiptonte lutje nga Kurani dhe përgjërohej duke i shtërnguar rreth vetes krijesat e saj të dashura, që pas humbjes së babait mund të humbnin dhe nënën. Vdekja kërcënonte jetët e pafajshme. Gryka e mitrolozit kërcënushëm u ngrit dhe u ul drejt tyre. Më pas , njëri prej zervisteve afrohet drejt tyure dhe rrëmben nënën, të cilën e masakruan në xhaminë e Bollatëve. Më parë ksihin vrarë dhe vëllanë e madh të Saliut, Ferhatin. Mbetën gjallë katër fëmijë jetimë në mes të katër rrugëve. Kalvari i dhimbshëm vazhdon për muaj të tërë. Kur mbërritën në Vlorë, vdiq dhe Faruku 5 vjeçar. Dhe fundi i tragjedisë la të gjallë vetëm Saliun 7 vjeçar, dhe motrën 10 vjeçare, Qerimani, ndërsa shtatë pjestarë të tjerë, u masakruan. Ka dhe dhjetëra të tjerë në këtë sallë, që vuajnë pasojat e asaj tragjedie…
*** Salla, ku do të shfaqej filmi ishte e mbushur plot. Mbretëron heshtja e thellë. Në ekranin e vogël projektohet Çamëria e bukur, me male dhe det, me fusha pjellore dhe shtëpi të kyçura. Më pas vjen kobi, tragjedia. Dëshmitë tronditëse vijnë nga ekrani:”Ja këtu, në këtë odë i mblodhën vajzat e reja dhe i përdhunuan…Pastaj u prenë gjokset…Pasataj i masakruan…Ja tek kjo xhamia, motra ime kur shkoi të pastronte dhomat njohu trupin e masakruar të vëllait të vetëm 27 vjeçar…Tek oda e …i mblodhën burrat dhe i therrën…atje etj u gjetën dhjetëra trupa pa koka. ” Krime monstruoze të kryera vetëm 66 vite më parë…Në sallën e zhytur në errësirë dëgjohen dënesa, psherëtima të zgjatuara dhimbjeje. Në errësirë lotët nuk shihen, por gulçet e dhimbjes shpërthejnë . Është një dokumentar autentik që sjell dëshmitë e gjalla të atyre që i shpëtuan mrekullisht kthetrave të vdekjes. Do të ishte mirë që këta dëshmitarë të gjallë të depozitojnë dëshmitë e tyre nën drejtimin e një grup avokatësh në një Gjykatë Ndërkombëtare për ta sensibilizuar opinionin botëror. Autorët e filmit, Kujtim Gjonaj – regjisor dhe skenaristi Enver Kushi, kanë sjellë një dokumentar realist, që dëshmon historinë dhe bën apel që bota e qytetëruar të dënojë genocide të tilla që të mos përsëriten në të ardhmen. Gjithësesi u takon organizmave ndërkombëtare që ta njohin këtë tragjedi dhe ta detyrojnë palën greke të pranojë se ka ushtruar genocide ndaj çamëve, t’u jap viktimave të drejtat e mohuara.
|