|
Mbresa nga ceremonia e mbylljes së vitit shkollor në Shkollën shqipe “Alba Life” në Staten Island, NY
Nga Këze Kozeta Zylo
Në një ditë të bukur qershori me diell here-herë të ndritshëm e herë me re të bardha si tufa mëndafshi, u festua me sukses mbyllja e vitit mësimor nga Shkolla Shqipe “Alba Life” në Staten Island, New York.
Rilindasit e vegjël, si gonxhe pranvere, dukej sikur i përkëdhelte prijësi Naim Frashëri me vargjet:
Të shkruajm' gjuhën tënë, Kombinë ta ndritojmë, Gjithë ç'është e ç'ka qënë Ngadalëzë ta mësojmë.
Nxënësit e ndjejnë në shpirt ëmbëlsinë e kësaj gjuhe, ndaj dhe nuk mund të rrinë pa e shijuar për tërë jetën. 36 shkronjat e ndritura që ata mësuan, ia hodhen qiellit si yje për të ndricuar kudo shqiptarët e tjerë të shpërndarë nëpër botë. C’shkëlqim do të ketë qielli netëve me hënë të ngrënë nga yjet e Diasporës që mësuan librin e shenjtë të shqiptarëve, ABETAREN! Abetarja shqipe është shpirtëzuar tashmë brenda tyre, dhe c’gaz e bukuri kanë fjalët shqipe malluar nga botë e largët, për gjyshërit e tyre, të cilëve iu kanë lënë peng lotin e ngrirë në Mëmëdhe… Sytë e tyre kuvendojnë më në fund lirshëm me botën shqiptare, pasi ata filluan të flasin dhe të shkruajnë këtë Gluhë Perëndie… Ne do të vazhdojmë të ecim në rrugën e udhërrëfyseve dhe mendjendriturve shqiptarë, dhe do të punojmë gjer në frymën e fundit për gjuhën e të parëve tanë, përndryshe në se fëmijët tanë nuk flasin shqip, do të më enden në vesh si kambanë natë e ditë vargjet për gjuhën shqipe nga Gjergj Fishta:
Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis', trashigim, që na la i pari, trashigim s'ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja, flet e t'veten e lèn mbas dore.
Abetarja shqipe dhe Flamuri kuq e zi, dy simbole të identitetit shqiptar
Mësuesit e shkollës shqipe kishin përgatitur enkas për nxënësit një program të bukur artistik me rastin e ceremonisë së mbylljes të vitit shkollor. Hyrja e nxënësve në sallë me këngën: “ O sa mire që jam shqiptar”, duke parakaluar para pjesëmarrësve me flamurin kuq e zi dhe me atë amerikan, mbajtur nga nxënësit Arbër Kolari dhe Steven Lacaj, përcolli një emocion të papërshkrueshem. Prindër, mësues, gjyshër, nxënës, të ftuar, u ngritën në këmbë dhe me duartrokitje të stuhishme përcillnin çdo fëmijë, që përulej para flamurit dhe e puthte atë. Programin e ka udhëhequr Dr.Valbona Zylo Watkins, e cila përshëndeti në emër të Bordit dhe ftoi të pranishmit të këndonin dy hymnet, atë shqiptar dhe atë amerikan.
Ajo falënderoi përzemërsisht drejtoreshën e shkollës znj.Adelina Laçaj dhe mësueset Blerina Bejleri, Shkëndije Zylaj dhe Betualla Bollati për përkushtimin e tyre me aq seriozitet dhe dashuri ndaj nxënësve të shkollës shqipe.
Pastaj programin e ka drejtuar mësuesja Bejleri me grupmoshat e nxënësve të nivelit të parë. Vogëlushja Dea Bejleri ka hapur programin. Nxënësit e kësaj moshe janë shumë interesantë, edhe pse të vegjël ata kanë një seriozitet në sjelljen dhe qëndrimin e tyre. Kështu Dea dhe Lis Zeneli me origjinë çame, recituan bukur dhe me krenari vargjet: “Ti Shqiperi më ep nder…” Serioziteti i tyre të bind se në një të ardhme të afërt ata do të jenë në krye të çështjes çame, per të kuruar plagët e saj që ende kullojnë gjak… Nxenesi shembullor Edon Greva fitoi duartrokitje me recitimin e tij.
Dy motrat e mrekullueshme dhe të zgjuara me origjinë nga Ulqini, Gentiana dhe Fiona Shaba, kanë kohë që marrin pjesë rregullisht në shkollë. Ato me shkathtësi interpretuan poezi dhe kenge. Babai i tyre z.Amir Shaba ,n/kryetar i shoqatës “Ana e Malit”, ishte tepër i impresionuar me vajzat e tij. Vogëlushi Orest Salillari, që vjen prej Brooklinit, një qytet tjetër i New Yorkut, këndoi këngën së bashku me grupin “Tring zilja-tring zilja”…, Edhe Ejona Gashi, një vajzë bukuroshe nga Dibra, interpretoi poezi dhe këngë . Kurse vogelushja Megi, e cila do të regjistrohet për vitin tjetër, ishte përgatitur seriozisht për të recituar një vjershë të gjatë.Babai i saj Pirroja së bashku me tezen e saj, mësuese Violetën, kishin kohë që po e përgatisnin për këtë koncert, ndaj dhe u ndjenë tepër të gëzuar për interpretimin e saj.
Nxënësi Arian Kallaba, foli me një shqipe të kulluar. Vajza 5-vjeçare Deborah Nuro, e cila dhe ajo kishte udhëtuar me prindërit Xhumert dhe Irena që nga Brooklini, këndoi në grup dhe për këtë i ndrinin sytë.
Pas mbylljes së programit mësuesja Bejleri falënderoi bordin e shkollës dhe z.Qemal Zylo, themeluesin e kësaj shkolle.
Pas pjesës së parë të programit zonjusha Mathea Cene interpretoi mjeshtërisht pjesë muzikore në piano.
Dr.Zylo Watkins përshëndeti posacërisht dhe Pastorin Amerikan z.Steve Galegor, për shqipen e kulluar që flet kudo dhe për ndihmën e pakursyer qe iu ka dhënë të gjithëshqiptarëve në nevojë pa dallime fetare.
Pjesa e dytë e programit me grupmoshat e nivelit të dytë, u drejtua nga zonjat Laçaj dhe Zylaj. Nxënësi Steven dhe Kevin Laçaj interpretuan vargje për gjyshin, me autor Agim Gashi. Shumë poezi te interpretuara nga Arber Kolari, Xhon Hoxha, dhe Eliesa Gashi. Xhon Hoxha kishte ardhur së bashku me gjyshen nga Memaliaj, e cila kishte dhënë një ndihmesë të veçantë në mësimin e pjesëve të ndryshme, nipit të saj.
Nxënësi Amend Daci, ka një rrjedhshmëri në të folurën shqipe, pasi gjyshi i tij prej Dibre, mësuesi veteran Z.Daci ka kontributin e tij në mësimin e abetares.
Pas këtij programi kaq elegant ka përshëndetur z.Sali Bollati kryetar i shoqatës “Çamëria”, i cili midis të tjerash përkujtoi masakrën çame të shkaktuar nga genocidi grek.
Ndërsa z.Ibrahim Kolari kryetari i shoqatës “Dibra”falënderoi të gjithë stafin për punën e palodhshme në shërbim të fëmijëve të Diasporës.
Z.Pellumb Lamaj, aktivist për të drejtat e shqiptarëve dhe ish i burgosur në burgun e Spacit, qysh në moshen 19 vjeçare, me fjalë të kursyera, por që përmblidhnin gjithçka, përcolli mesazhin: “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë”! Midis të ftuareve ishte dhe z.Xheladin Pjeca, ish kryetar i shoqatës “Dibra”, së bashku me bashkëshorten e tij, mësuesen veterane, znj.Pjecaj.
Kurse aktori Xhevat Limani ka interpretuar poezi nga krijimtaria e tij. Poezia për Skënderbeun, e interpretuar mjeshtërisht nga ai, ishte tejet mbresëlënëse. Midis të ftuareve ishin dhe përfaqësues nga kompania “Met Life”, z.Hysen Ulaj dhe z.Gjoke Gojcaj.
Në fund ka përshëndetur presidenti i “Alba Life”, z.Qemal Zylo. Ndër të tjera ai tha: Stafi vullnetar i shkollës shqipe me zonjat Adelina Lacaj, drejtoreshë, Shkëndije Zylaj, Blerina Bejleri, Betulla Bollati, Dr.Valbona Zylo Watkins, Klodiana Halsted, Dritan Gashi, Osman Greva, shoqata “Dibra” me kryetar z.Ibrahim Kolari, shoqata “Ana e Malit” me n/kryetar Amir Shaba, ja doli mbanë duke iu mësuar fëmijëve ABC-n Shqipe. Shkolla Shqipe në Staten Island, uli numrin e viktimave të mosmësimit të gjuhës shqipe, duke pasur parasysh thënien e Dijetarit të madh Sami Frashërit se: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shqipes”. Ne jemi munduar gjithashtu që të gjitha veprimtaritë t’i pasqyrojmë në TV Alba Life, ”, ku një meritë për publikim ka dhe drejtori i programeve të TV Alba Life, Z.Amir Suka. Ai falënderoi dhe gazetat e mirënjohura “ Dielli, “Illyria”, “Mesuesi”, “Bota Sot” për pasqyrimin e aktiviteteve të shkollës shqipe. Z.Zylo iu dhuroi gjithë mësueseve nga një buqetë me lule si shenjë mirënjohjeje për punën e tyre të palodhur dhe të pakursyer. Ai ka falënderuar gjithashtu dhe bashkëpunetoret e “Alba Life”, si zotërinjtë Dritan Gashi, Osman Greva, Neritan Bejleri, Odise Salillari, Dashnor Cene, për një bashkëpunim sa me kulturë aq dhe njerëzor në mbarëvajtje të punës së shkollës. Ai i shprehu një mirënjohje të veçantë dhe zonjës Shuhrete Hakaj, një aktiviste e palodhur nga Kosova, për çështjen kombëtare, e cila kishte ardhur enkas për këtë ditë të bukur festive, ku nuk mungoi dhe dhurata për shkollen shqipe. Z.Zylo falënderoi dhe mësueset veterane si zonjat Jenisheri, Likollari, Pira, të cilat vazhdimisht dhe me dashuri së bashku me bashkëshortet e tyre fisnike, kanë marrë pjesë në mbështetje të këtyre aktiviteteve. Pas programit për të pranishmit ishte shtruar një kokteil.
Pjesëmarrësit u argëtuan me këngë shqipërie nën interpretimin e këngëtares Lacaj , të orkestruara mjeshtërisht nga muzikantët Dashnor Cene dhe Odise Salillari.
Pas argëtimit Rilindasit e vegjël, u larguan nga shkolla shqipe, me dashurinë se do ta vazhdojne më tej misionin e Rilindasve të parë duke u frymëzuar nga vargjet e Fishtës:
N’për gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njohtë se ç'fis ju kini, ka me ju njohtë për shqyptarë; trimi n'za, sikurse jini.
Ndërsa Bordi i shkollës shqipe u largua krenar për pushimet e verës, të bindur se kishin ulur numrin e viktimave të mosmësimit dhe mospërdorimit të gjuhës shqipe ndër fëmijët shqiptarë në Diasporë.
|