Toogle template customization

Who's Online..

Now online:
  • 13 guests
Gëzimi i një feste nën qiellin bostonian  E-mail

Nga Namik Selmani
 
Nuk e kisha menduar aspak atë rastësi të bukur, të lakmueshme për shumë njerëz, që nuk janë thjesht udhëtarë që ulen ne sediljet e  avionëve dhe ndjekin rreptësisht orarët e nisjes e të mbërritjes së tëre ne vështrimin e saktë të doganierëve, stjuardesave…

Në ditën e e Festës së Amerikës , më 4 Korrik më duhet të jetoja Lumturinë e Nderimit. Një lumturi që jetohet rrallë në jetë, por që kujtohet për shumë kohë. Është një lumturi që e prek edhe mijëra kilometra larg ku je para thirrjes së brendshme të qënies tënde: “Jam shqiptar”.
 
E nuk mund të bëhej e besueshme, bukurisht e prekshme, përjetësisht e kuptueshme kjo lumturi, po të mos kishte një cicëron të urtë me vete. E gjithë hapësira e Amerikës e do një cicëron më vete për atë pasuri informacioni që të jep, për ndërtimet që janë bërë këtu edhe para dy shekujsh e që qëndrojnë ende të fortë në shërbim të atyre që jetojnë sot e nesër, për atë bashkëjetesë harmonike me kombeve që kanë gjetur këtu vetveten, forcën për të arritur ëndrrën e paprekur, për tunelet nënujore, për shtëpitë karakteristike, për atë dalldisje kulture që të vë përpara në secilin hap që shkel në të. Aq më tepër kur je në udhëtimin e parë në këtë vend e ke nevojë që të frenosh dukshëm entuziazmin tënd para së resë që prek kudo e kurdo.

E pikërisht ky Pando Lako që ishte brezi i tretë i shqiptarëve që kanë shkelur në Amerikë, po ma jepte këtë lumturi. Ka emrin e gjyshit të ardhur këtu që në vitet e para të shekullit XX e që ai e kujton me mall. Kujton çdo hollësi të jetës së tij, Kujton babain e tij, nënën e vetë madje edhe shokët e babait dhe shoqet e nënës së tij tashmë të ndarë nga jeta., byrekët e nënës, historitë e mërgimit..

Është në një moshë 80 e ca vjeçare e akoma vazhdon të jetojë brenda vetes sa amerikanizmin e tij karakteristik tërë kulturë (ka lindur, është rritur dhe është shkolluar në Univerisitetet amerikane në Amerikë) aq edhe shqiptarizmin e tij në atë gjuhë të bukur shqipe dhe të saktë me një theks pak korçar që përdor, në atë kontakt të vazhdueshëm që ka me Shqipërinë, madje edhe te mençuria e profesionit të tij si inxhinier që ai e ka përdorur në ndërtimin e autostradës Rrogozhinë-Elbasan për afër 2 vjet. Akoma kontaktet me Voskopojën, Tiranën , Korçën i ka të shumta. Këto ditë më tha që edhe pse pak i moshuar do të shkonte në një dasëm që bëhej në Korçë.

Kë mik i kahershëm i Nolit në Ditën e Festës së Amerikës do të na bëhej jo vetëm një cicëron i asaj vlere të madhe shpirtërore që është sot Kisha e Fan Nolit në Soouth Boston, por edhe të kujtimeve që lidhen me atë idealizëm të Nolit deri sa ai ndërroi jetë më 1965. Nuk është vetëm një besimtar i mirë, por edhe një aktivist i Kishës. Që prej 11 vitesh në këtë kishë që drejtohet nga At Artur Liolin ai kryen edhe detyrën e financierit të kishës. Si duket ndershmëria e tij është kaq e dukshme për t’i besuar shumë e shumë detyra të tilla.

Më tregon për kishën që në ballinën  e saj ka datën e ndërtimit 1872, por që më vonë kur në Boston erdhi Fan Noli u bë streha e bashkimit të shqiptarëve .

Në një Muze të dukshëm në hyrje të sallës së ceremonive ka një pavion të pasur për Nolin . Me libra e dorëshkrime të tij por edhe me libra kushtuar atij dhe shqiptarizmit. Një pikturë shumë e madhe e Nolit të bën të meditosh edhe më shumë për këtë figurë kombëtare. Salla e ligjëratave. Salla e pagëzimit. Rregull kudo. Gati të gjitha kanë mbetur ashtu si kanë qenë që në gjallje të saj. Zëri shumë i ngrohtë dhe miqësor që sot në Shqipëri  qarkullon edhe nëpërmjet një kasete këtu na vjen më i gjallë. 
 
Një sallë ku, si na thotë edhe miku ynë Pandoja vijnë edhe shumë myslimanë të Bostonit e të rrethinave madje edhe kontribuojnë me ndihmat e tëre financiare për mbajtjen e kishës. Qytetet shqiptare si ai i Beratit, Voskopojës, në disa  fotoekspozita të veçanta të krijojnë përshtypjen se nuk je në Amerikë, por në trevat shqiptare. Harta e Shqipërisë etnike e varur në një vend shumë të dukshëm të saj na kujton mesazhin atdhetar të Nolit të madh. Fotot e jetës së tij të shoqëruara edhe me diçiturat përkatëse dhe me citime të veprave të tij na përcjellin atë frymë të pashuar  të shqiptarizmit që ka marrë jetë në truallin, humanizmin dhe kulturën e këtij shteti të madh.
 
Dhe përnjëherë të vijnë në mendje vargjet: ”Mbahu nënë e mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë”

.. Më tej në një tunel të stërmadh me blerimin e pemëve na duhet që të shohim varrin e Imzot Fan Noli. Pandua na kujton me hollësi varrimin e tij më 1965 kur atij i jetonte edhe babai. Më tregon për jetën shumë të thjeshtë që bënte Noli që jetonte vetëm në një hyrje të thjeshtë. Shumë herë kur binte shi apo edhe kur e ftonte babai Noli qëndronte edhe në shtëpinë  e babait të Pandos. Mbresat e këtëre vizitave ai i ka akoma të freskëta.

Varri i Nolit ndryshe nga varret e amerikanëve të tjerë kishte edhe një basoreliev të thjeshtë me portretin e tij dhe një përkushtim nga ana e shqiptarëve të Bostonit. Rreth tij kishte me dhjetra flamuj amerikanë. Vështirë që të gjeje një varr shqiptari apo edhe amerikani pa flamurin e këtij shteti. Ashtu i bardhë në hijen e një pishe të madhe kurorëblertë ai të ngjallte krenarinë e të qënit shqiptar edhe ku Shqipëria ishte larg, shumë larg. Në atë hapësirë të blertë miku im i mirë Pando më tregoi sa e sa varre të tjerë të shqiptarëve që kishin emrat në ca pllakëza të thjeshta betoni. Shumë prej tëre ai i njihte një për një. Ditëlindjet e tëre përkonin me vitet e para të shekullit të kaluar. Madje në këtë vend vetëm 2-3 metra larg varrit të Nolit ishte edhe emri i një gruaje të gjallë e që, si na tha Polli, si e thërrisnin miqtë e Bostonit, jetonte në një shtet tjetër. Që në të gjallë ajo kishte gdhendur emrin, ditëlindjen e priste një ditë kur të vdiste e të varrosej këtu mes shumë bashkëatdhetarëve të tjerë e pranë Nolit të madh.

Vetëm 100 metra më larg u përulëm këaj radhe përpara varrit simbolik të Faik Konicës  Edhe në vdekjen e tij ai pati një pasjetë të veçantë. Mos vallë është rastësia tragjike që shfaqet herë pas here në historinë e kombit tonë???

6 vjet Faik Konica do të qëndrinte në morgune Bostonit. Fjalimi i Nolit pranë varrit të Konicës në tingujt magjikë të muzikës së Vagnerit, kujtohet gjatë te ata shqiptarë të Bostonit. Me varr e pa varr Faik Konica për 6 vjet, edhe pse trupi i tij vinte nga Uashingtoni ku para tre vitesh më 1939 kishte mbaruar detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në SHBA që e kishte marrë që më 7 prill 1939.

Pandua kujton sërish me saktësi varrimin e tij madje edhe çvarrimin që iu bë më maj 1995 kur në një atmosferë të madhe nderimi mes personaliteteve të shtetit shqiptar e amerikan dhe të dë feve, ortodokse dhe mysliamane u përcoll për në Shqipëri ku u rivarros pranë vëllezërve Frashëri.

Po ktheheshim  nga varrret natyrisht edhe duke medituar në heshtje në një çast që jetohet rrallë e në një kohë të veçantë si Festa e Amerikës.
Në mbrëmje do të bëheshim pjesë e Festës së Fishekzjareve. Me mijëra bostonianë ku nuk dalloje nga njëri-tjetri amerikanët, shqiptarët, kinezët, indianët, brazilianët, afrikanët, rusët e shumë e shumë  kombësi të tjera, gëzoheshim për atë pamje të rrallë që në një ditë të tillë feste bëhet në çdo cep të Amerikës. Nuk kishte nevojë që të ngriheshin podiume festive ku të flisnin njëri pas tjetrit politikanë të shtetit me fjalët e tëre pompoze, me premtime, por njerëzit gëzonin në atë magjinë që prekej vetëm në këtë ditë. Policia e shtetit kishte të ndaluar që në zonën ku hidheshin fishekzjarret e festës të mos udhëtonte asnjë makinë për aresye sigurie. E të gjithë ishin të barabartë para gëzimit e urimit : “Gëzuar Festën, Amerikë!”.

Një ditë më parë shumë shqiptarë të Bostonit të disa brezave kishin festuar në mënyrë të organizuar këtë festë . Është një ceremoni që ata e bëjnë prej disa vitesh.

Për të gjithë shqiptarët që merrnin pjesë në atë festë apo edhe në Një Jork, në Një Xhersi, në Çikago, në Kaliforni, në Arizona e kudo ku flamujt amerikanë valëviteshin drejt qiellit thuhej edhe falenderimi: “Faleminderit , Amerikë!”. Gëzimi i kësaj feste në qytetine Bostonit që është edhe kryeqyteti i shtetit të Massaçusesit është edhe i një simbolike të veçantë . Ky shtet në Amerikën qindramilonëshe quhet ndryshe “Shpirti i Amerikës “ dhe ta festoje mes tij do të thotë se prekje edhe më shumë shpirtin amerikan

Unë që kisha ardhur vetëm para pak ditësh, më duhet që ta uroja me shumë ngrohtësi mikun tim Pando për këtë festë ashtu si edhe vajzën time që prej vitesh është bërë pjesë e jetës amerikane Në duart e tij ende të forta për të punuar në shërbim të Amerikës, por edhe të Shqipërisë së prindërve të tij kësaj radhe si një lule të bukur urimi i vura librin tim më të ri “ Jam shqiptar”. Mbase dhe vetë libri ishte një lloj urimi që ne, përfaqësues të brezave të ndrëshëm që po preknim tokën, kulturën e mençurinë amerikane, po ia bënim këtij shteti. Në orët e vona të natës së pagjumë amerikane vizituam një hotel me një emër shumë simbolik “Liria”. Për 100 vjet me radhe që nga viti 1850 e deri në vitin 1950 në të ka qenë burgu më i madh i Bostonit ku shumica   e të burgosurve ishin të dënuar me vdekje. Një arkitekturë e  një burgu të sigurisë shumë të lartë ishte përshtatur për mjediset e një hoteli dhe bari nga më të frekuentuarit e qendës së Bostonit. Në atë masë shumë të madhe njerëzish që uronin edhe në hollin e këtij burgu-hoteli liria na u duk gjëja me e prekshme në këtë vend. Ata që kishin bërë këtë përshatje kishin menduar që në një kënd të dukshëm të paraqitnin edhe historikun e këtij transformimim të shoqëruar edhe me fotografi të pamjeve të dikurshme të burgut e sot të hotelit. Kudo histori e shkruar. Para dite kishim vizituar lokalin e madh në buzë të oqeanit të ndërtuar nga Antoni Athanas e që tregonte edhe forcën e punëdashjes dhe të intelektualiuzmit të shqiptarëve që u përfshinë aq natërshëm në jetën e tregun amerikan.

….Fishekzjarret e mbrëmjes festive trë 4 Korrikut vazhdonin të shkëlqenin në qielin shumë të pastër bostonian të asaj nate korriku. Një nga një në këto  miliona dritëza fishekzjarresh shfaqeshin lule, pemë, zemra, ëje. Ato po ringrenin në atë natë edhe një herë mes nesh atë URË të madhe komunikimi mes dy kombeve tanë..
 
Boston 5 korrik 2010

 
Copyright © 2010 Gazeta Dielli. All Rights Reserved