Toogle template customization

Who's Online..

Now online:
  • 16 guests
Vatrani që “mësoi” Gazalin të fliste shqip para 50 vjetësh  E-mail

Nga Elez Osmani

Vatrani Ahmed Ramo  është përkthyesi i parë i   një vepre të Gazalit në gjuhën shqipe. Ai më 1959 e botoi në Romë librin e e tij të përkthyer "Nga përtëritja e diturisë fetare-Ballsami i lumturisë" nga Ebu Hamid El Gazali (1058-1111). Librin e ka përkthyer nga gjuha angleze. Në fakt publicisti i shquar amerikan Claud Field e kishte përkthyer veprën e Gazalit "Kimjai saadet"që në vitin1909 nga gjuha persiane, në gjuhën angleze dhe e kishte titulluar si "The Alchemy of happiness". Siç dihet Gazali e kishte shkruar veprën e tij voluminoze “Ihjau ul umuddin” në gjuhën arabe, më vonë nga i njëjti brum, por në një version të shkurtër, ai e kishte shkruar në gjuhën persishte veprën e cituar e cila ishte shumë e përhapur. Në gjuhën angleze janë  edhe dy përkthime të tjera të kësaj vepre :  Henry A.Homes   e ka përkthyer nga Gjuha turke "Alchemy of happiness by Mohammed al Ghazali the Mohammedan philosopher"   dhe tjetri nga Muhammad Nur Abdu Salam Al Ghazzali On Knoëing Yourself and God që e ka përkthyer nga gjuha persiane. Abdu Salam e kritikon përkthimin e Field për mangësi ne teksin e tij. Që të tri përkthimet ndryshojne dukshëm nga njeri tjetri. 
 
Ahmet Ramo kishte lexuar përkthimin  e Fieldit dhe kishte provuar që t’i vinte në dispozición lexuesit shqiptar në diasporë, mendimet filozofike të Gazalit. Libri  i Feld-it ka tetë kapituj. Por Ahmt Ramo ia shton edhe pjesën e dytë. Siç dëshmon në parathënien e tij "Bisedë rreth subjektit" "pjesa  e dytë është një përmbledhje e një  përkthimi në englishten prej një savanti Pakistanez Zoti Sejid Navab Ali , nga Ihja el ulumi..Duke qenë që të dyja po prej një burimi, i nenshkruari (A.R) tërhoqi ato më interesantet të udhëzimit jetik, si dhe ato që merren me skenat intelektuale dhe spirituale të kategorisë ordinere...f.18") Kështuqë Kimjai Saadet -Ballsami i lirisë "në gjuhën shqipe është paksa më i zgjeruar.
Mendojmë se përkthimet e tij nga gjuha angleze, kishin   një qëllim madhor.Ai dëshironte që ta përforconte të vertetën se Islami është universal e jo një besim që u përqafua vetëm nga orienti. Punimet serioze të Ahmet Ramos, e pasuruan literaturën fetare në gjuhën shqipe, së cilës, me mjaft sukses,  i printe Imam Vehbi Ismaili. Ato ngritën cilësin e saj në pikpamje teorike dhe qenë një tregues i aftësive intelektuale. Ai provoi të mbajë të ndezur shkëndinë atdhetare, letrare  e fetare, dhe u përpoq që ta ushqente e ta kristalizonte me stilin dhe gjuhën e tij, që ai vetë, e quan"atë shqipen e dëgjuar prej mëmave n'Atdheun e lindjes"

KUSH ISHTE AHMET RAMO?
Përkthimet dhe shkrimet e  tij të japin idenë se ka pasur një sens të shquar intelektual. Njihte mirë gjuhën angleze dhe kishte njohuri fetare. Kurreshtja na shtyu që të shfletonim shumë me qëllim që të mësonim diçka më shumë për të. Ndaj duke shfletuar faqe gazetash të kohës, dokumente në arkivin e Federatës “Vatra”, koleksione të gazetës “Dielli” dhe libra të ndryshëm, kemi arritur  që të sigurojmë disa të dhëna për jetën e këtij intelektuali dhe besimtari të devotshëm, që ka jetuar dhe vepruar në disa qytete të Amerikës.
Ahmet Ramo  u lind në Tragjas të Vlorës nga fillimi i shekullit XX.Në Amerikë erdhi ende pa i mbushur të njëzetat e moshës së tij.Ai posa zuri punë, dhe u stabilizua një fije, filloi të shkojë natën  në shkollë dhe e mësoi gjuhën angleze shumë mirë, për ta shkruar dhe për ta lexuar. Ahmeti ishte i pasionuar pas librit dhe kohën e lirë e kalonte nepër biblioteka duke lexuar literaturë të ndryshme  në gjuhën angleze, e në veçanti atë Islame. Lexonte me vemendje përkthimin e Kuranit  dhe kishte marrë njohuri të mjaftushme për Islamin.

Le të sjellim një shënim të klerikut të shquar musliman, Imam Vehbi Ismaili:"Ahmet Ramo ishte nisiatori dhe frymëzuesi i themelimit të Shoqërisë Muslimane Shqiptaro-Amerikane më qendër në Detroit më 1945, e cila më solli mua, shkruan Imam Vehbi Ismaili, si udhëheqës fetar. Ahmetin, shton ai, e njoha shumë mirë, me që vitin e parë, pasi erdha këtu,  banuam së bashku, derisa u martova. Ishte i pastër në shpirt dhe në veshje, bujar, i dashur dhe patriot idealist. Ka ndihmuar materialisht dhe moralisht shumë shqiptarë që filluan të vinin në Detriot, pasi linin atdheun për të shpëtuar nga komunizmi enverist".

Biografia e tij,disi  më  mirë plotësohet nga artikujt që  i kemi gjetur të  shkruar në "Dielli". Por disa të dhëna i ka shkruar edhe vetë me  rastin e botimit të Librit "Balsami i lumturisë"të cilin  ai  e përktheu. Për kureshtje të lexuesit sjellim një fragment:
"Kur po liparitja në një bibliotekë të Nju Jork-ut, më zuri syri  titullin  e një libërz "The Alchemy of happiness", që shqip mund ta quash ilaçi ose ballsami i lumturisë. Titulli i saj më magjepsi se s’ka njeri që të mos dojë lumturinë, sadoqë dendur e kërkojmë atje ku nuk gjëndet. Fillova ta lëçit me një shije dhe etje shpirtrore aq sa ia kapërcen shijes që ndjen një i ri, kur është duke leçitur ndonjë romancë të zjarrtë. Humba krejt n'të, gjersa m'u hoq vrejtja se biblioteka po mbyllej dhe jo vetëm kaq, po më pat shkuar edhe ora e punës.

U largova prej atij qyteti dhe kudo që veja, vizitoja bibliotekat, por Ballsami i Lumtërisë s'gjëndej gjëkundi. Kaluan vite me rrëmbim, filloi pleqërija, dhe bashkë me këtë edhe sëmundjet. Një ditë kur po rrija i mërzitur dhe në mendime, më vjen Imam Vehbiu me një libërzë në dorë dhe më thotë, "T'a solla 'Kimja-i-Saadet-in", mbasi ay është emri origjinal i librës, dhe shton, "Ke dashur ta shohish të shqipëruar. Mbaroje vetë atë punë". M'erdhi si atij që takohet me ndonjë mik që e ka kërkuar tërë jetën. E leçita disa herë dhe aq herë më tepër më shtoi zellin t'i vihem përkthimit.

Pothua në një vit përkthimi u plotësua, dhe në të njëjtën kohë ndjeva se qënkesha edhe shëruar. Me të vërtetë, në kohën që qeshë duke u dergjur, studimi i kësaj libre më bëri të harroj ndjenjat dhe lëngatat e kësaj bote. Sufitë thonë, "Kur njeriu harron hallet e tij atëhere flet vetë Perëndija për 'të". Të hedhurit e mëndjes në bukuritë abstrakte qënka një antidotë që kartharis (spastron) mëndjen e njeriut nga ndjenjat egoistike të kësaj bote. Kjo vërtetohet jo vetëm me të thënat e profitvet që Gazaliu i quan psikollogët e shpirtit, por, kur t'u kemi vënë veshin pasojave të bëmave tona, vërtetësia e saj s'na lë dyshim". 

    ***

Ahmet Ramo ishte larguar nga Nju Jorku dhe kishte shkuar në Detroit.Atje së bashku me të tjerët e kishin formuar Shoqërinë Shqiptare Muslimane,ku ishte  edhe anëtar i Këshillit drejtues. Pastaj zevendës editori i Revistës së saj "Jeta Muslimane Shqiptare". Ishte shumë aktiv, i papërtueshem, i shkathët. Ata që  e njohën Ahmeti, sot është vështirë t’i gjesh.Shumica kanë vdekur edhe nëse është ndonjë nuk dihet se ku janë të shperndarë nëpër shtetet e Amerikës. Megjithkëte e kam kontaktuar  publicistin e njohur Idris Lamaj, që jeton në Nju Jork, e ai më tha: E kam njohur personalisht Ahmetin...anipse ka vdekur që 40 vjetë  e më shumë e mbaj mend se ishte fisnik, mendje mprehtë, energjik i pa përkulur, i dashur dhe bujar. Ishte i pendës. Dinte pse punonte dhe për çka punonte.Kishte dashuri dhe besim të pa tundur tek Zoti."
Më shumë nuk arritëm të mësojmë për të apo familjen e tij, por fundi i jetës së tij është pasqyruar në gazetën “Dielli”, zëri i Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, në menyrë dinjitioze, me ç'rast jepen edhe dromca të ndryshme nga jeta e tij.

GAZETA “DIELLI” PËR AHMMET RAMON

Në një artikull qendror "Dy Shokë të vjeter “ në Gazetën  "Dielli" "R.XH.Gurrazezi,  duke  përkujtua shembëlltyrën  e tij shkruan kështu: 
" ...Këtu do të flas pak dhe për një shqiptar tjatër të vjetër që u muar shumë a pak me lëvizjen shqiptare n'Amerikë.  Ky është Z. Ahmet Ramo, i cili më të rrallë përdorte llagapin "Gjon Varfi," dhe ish nga Tragjasi i Vlorës.  Kish kohë të gjatë n'Amerikë, dhe ish në moshë të lashtë.  Në vjetët e fundit vuante nga shëndeti, dhe vdiq në Kenosha, Vis, në Jenarin e shkuar, po varrimi i tij u-bë në Chicago.

Në letrën e fundit që më dërgoj nga Kenosha në Nëntorin e shkuar, shënonte se të nesërmen do të vinte në Chicago bashkë me Z. Kalosh Hamdia për të marrë pjesë në festën e Ditës së Flamurit, ku ajte do të takojin dhe Z. Xhafer Deva nga Kalifornia.  Përveç të tjerave, më thosh dhe këto në letrën e tij: "Jam i pa mundur dhe allergie.  Duart i kam të pira (mpira) dhe gjakun lart...Na kënaqe tepër me artikujt që shkrove te Dielli...Po munde duku ndo njëherë..." Më vjen keq që s'vajta dot!

Z. Ahmet Ramo qe shqipëtar i mirë, dhe fetar i dedikuar.  Besonte në kombësi edhe në fe, po s'qe "shënjtor."  Cili është ay njeri i gjallë që ka shpëtuar nga të metat e jetës?  Dëshëroj të shoh një!

Si shqiptar, qe kombëtar dhe e desha, po si shok në punët shoqërore ish pak' i lëvizur, dhe për atë shkak shumë njerës nuk e shikojin me sy aq të mirë. Pat hyrë në Vatër si anëtar dhe pat dalë disa herë, po prapë Vatrën e çmonte.

Më 1943- '44, z.Ahmet Ramo ish sekretar i Degës së Vatrës në Detroiti dhe i dërgoj editorit një përgënjeshtrim zyrtar që e botoi në “Dielli” pa lejë të kryetarit dhe pa pyetur zyrtarët e tjerë të komisionit.  Për atë shkak, kryetari thirri një mbledhje të degës dhe e shtroj çështjen e sekretarit përpara anëtarëve për bisedim. Ajo mbledhje e gjeti të fajshëm sekretarin dhe e dënoi duke e shuar emrin e tij nga lista e anëtarëve të “Vatrës”.
Duke ditur se ay kish 20 e ca vjet që ish hequr nga Vatra, u - habita kur pashë në “Diell” dy vjet të shkuar se z.Ahmet Ramo hyri prapë në Vatër dhe mori pjesë aktive për të forcuar Degën e Chicago-s!  Ajo gjë më bëri të mejtohem, dhe thashë: "Siç duket, Ahmetit j'u-qas vdekja dhe dëshëron të vdesë si vatran, me shpresë që në botën tjetër - n'atë botë që ay beson se është shtruar me lule të bukura ku njeriu i ka të gjitha të mirat dhe s'bëhet merak për gjësendi- munt të bashkohet me Vatranët e vjetër që shkuan përpara tij!" Ashtu qoftë!

Në një përshkrim të bukur për Ahmet Ramon që u-botua në Diell më 12 Mars 1969, vura re se ay paska lënë një libër inglisht të pa botuar! Kjo është një gjë shumë e madhe, aqë më tepër dhe e pabesuar, për një njeri që s'ka parë, ose s'ka mbaruar, asnjë shkollë inglisht të shkruajë libra në gjuhën inglishte! Inglishtia është gjuh' e zhvilluar mirë, është gjuhë shkollarësh me një gramatikë të mbaruar që vetëm shkollarët e flasin dhe e kuptojnë siç duhet, dhe vetëm ata munt të shkruajnë libra inglisht. Kurse shqipia ka mbetur pas gjuhëve të botës, është palëruar mirë, s'ka një gramatikë të caktuar, të gjith' ata që mundohen të shkruajnë përdorin gramatikën e tyre të veçantë, dhe kështu çdo njeri që s’shëron munt të shkruajë një libër shqip!

Z. Ahmet Ramo kish dëgjuar se në Neë York ish një shtëpi botonjëse (Publishing House) e vogël që shtypte libra dhe broshura me një çmim t'ulët, dhe javën e fundit të shtatorit 1964 vajti atje me qëllim për të shtypur librin e tij.  Kur shkoj, e përcolla gjer në "Bus Station," bashkë me të ish dhe një mik i tij edhe imi, i cili sot jeton në Qytetin e madh.  Po në Nju Jork, ay s'erdhi dot në marrëveshje me botonjësin, shkakun përse, besoj se qe çmimi i lartë apo i lëndës që mbante libri, nuk e di dot.

Me vdekjen e Z. Ahmet Ramo- Gjonvarfi hupmë një Shqiptar të mirë dhe patriot të kthiellt.(Dielli, R.XH. GURRAZEZI faqe 8 e merkure 30 prill 1969  Vol.57-NO.12 )

(Përfundon në numrin e ardhshëm)

 
Copyright © 2010 Gazeta Dielli. All Rights Reserved