Toogle template customization

Who's Online..

Now online:
  • 12 guests
Sënduku i Anës - Tregim  E-mail

Nga Merlin Tushe

Keti që e vogël e dinte se në familjen e saj përveç tre motrave të babait, kishte edhe një xhaxha, Rasimin, të cilin e njihte vetëm nëpërmjet një fotoje të tij që gjyshe Ana e mbante të fshehur në sënduk. Mbështjellë me një shami të bardhë e vendoste thellë aty mes rrobave e sendeve të saj më të çmuara. Keti çuditej se pse Ana këtë foto e nxirrte që andej vetëm dy herë në vit. Njëherë në muajin mars, kur xhaxhai kishte patur ditën e tij të lindjes dhe më 16 dhjetor, datën e tij të vrasjes në Kosovë nga  forcat sllavo – komuniste me në krye Shefqet Peçin.  Gjyshe Ana pasi i hiqte shaminë e pastronte portretin e tij me kujdes nga ndonjë pluhur, e vendoste në mur e bisedonte me të për disa minuta, e përsëri që të mos ia shikonte dikush… e vendoste në sënduk. Keti nuk e kuptonte në atë kohë shumë mire gjuhën turke që gjyshja e saj bisedonte me portetin ushtarak të xhaxhait, i cili mbante në kokë një kapele ushtarake me gërmën e madhe “Z”, e sa herë që përsëritej ky ritual i saj aq më shumë i shtohej kureshtja për të zgjidhur këtë enigmë që mbanin të kyçur brenda vetes si gjyshja dhe e gjithë familja e saj. Çdo ditë kur kthehej nga shkolla për në shtëpi mendja i rinte tek portreti i xhaxhit që rrinte i fshehur në sënduk. Kushedi se çfarë bluante me vete vogëlushja.

Një ditë me tu kthyer nga shkolla që e kishte jo më shumë se 200 metra larg shtëpisë, mëson se gjyshja kishte shkuar për vizitë tek Feride Hanmi, shoqja e saj e ngushtë, bija e vetme e heroit kombëtar Bajram Curri. Sa herë Ana do të shkonte atje, Keti e dinte se pa një ose dy orë t ë mira nuk kthehej që andej. Sa ato të kujtonin të shkuarën, largimin me kuaj nga Mitrovica, ku i kishte përcjellë Shote Galica deri Krumë të Hasit, të qanin hallet e ditës e muhabete të tjera, Keti me kuriozitetin e një fëmije 9 vjeçar shkon në dhomën e Anës, hap sëndukun e gërmon brenda tij. Gjen foton e xhaxhait, e merr në duar, por sapo ishte duke e zbuluar nga shamia e bardhë prej mëndafshi që gjyshja e ruante si kujtim nga martesa e saj në Kosovë me gjyshin Metush, kërcet doreza e derës. Gjyshja që nuk e kishte gjetur aty Feride Hanmin ishte kthyer drejt e në shtëpi. Keti u frikësua, e nga hutimi s’dinte çfarë të bënte, pa dashur bie brenda në sënduk. Kapaku u mbyll vetiu, por njëri nga gërshetat e verdhe me kordelen e kaltër i mbeti jashtë.  Gjyshe Ana që e kishte parë gjithë këtë skenë, i afrohet sëndukut, e me shumë dashamirësi e nxjerr që andej mbesën e saj të vogël, që ashtu e frikësuar shtrëngonte pranë vetes foton e xhaxhait të saj të vrarë. Ajo u prek shumë kur e pa Ketin ashtu të përlotur, e që nga ai çast filloi t’i fliste e t’i tregonte më shumë rreth djalit të saj të pushkatuar në Kosovë nga forcat sllavo – komuniste me urdhër të Enver Hoxhës e Milladin Popoviçit, pasi Rasimi ishte ushtarak i lartë e një veprimtar i njohur si antikomunist si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Por me një kusht që Keti nuk do të fliste me asnjë shoqe e me askënd për këtë ngjarje se përndryshe do ta pinte e zeza si atë vetë ashtu edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Si dhe i kishte thënë se foton e  vendoste aty thellë në sënduk që të mos ia shikonte ndonjë komshi apo ndonjë punonjës i sigurimit të shtetit që mund t’i vinte për kontroll në shtëpi.

Rasimi pasi kishte përfunduar të mesmen teknike “Harry Fultz” në Tiranë, ndjek studimet e larta për akademi ushtarake e më pas punon në Prizren si ushtarak i lartë me gradën kapiten. Për veprimtarinë e tij si patriot e antikomunist ishte njohur edhe në ato treva, ku ishte instaluar prej disa kohe edhe brigada e 5–të sulmuese drejtuar nga Shefqet Peçi. E një ditë të bukur tetori kur ai së bashku me kolegët e tij ushtarak do të niseshin pranë familjeve të tyre në Tiranë, autobusin e urdhërojnë të ndalet. Skuadrat e pushkatimit kryesuar nga Shefqet Peçi pasi i zbresin nga autobusi  në Stacionin e Autobusave në Prizren i arrestojnë të gjithë akademistët e rinj, nën akuzën si kundërshtarë të betuar të sllavo - komunizmit shqiptar e jugosllavë. Pasi mbahen të izoluar në një shtëpi të improvizuar në burg për dy muaj ku drejtor burgu kishin caktuar Mezin Aliaj, pushkatohen pa gjyq në fund të dhjetorit të vitit 1944. Për pushkatimin e tyre kanë folur në librin e tyre me titull “Lidhja e Prizrenit” edhe shkrimtarët e njohur Tomë Mrija e Klajd Kapinova me banim në SHBA. Momentin e arrestimit e tregonte edhe Raba Boletini, bashkëshortja e Tafil Boletinit, e cila u ndodh në atë kohë në Stacionin e Autobusave në Prizren për të udhëtuar drejt Tiranës, ku mes të arrestuarve kishte njohur edhe Rasimin, si nip të familjes që e kishte. Në të njëjtën ditë me Rasimin u arrestuan e më pas u pushkatuan pa gjyq në fund të dhjetorit të vitit 1944 në Prizren edhe personalitete të tjera të larta ushtarake si Kolonel Setki Shkupi, Hajdar Planea, Musli Dobruna, Qazim Gostivari etj. Varret e të cilëve akoma nuk dihen se ku ndodhen.

***   ***   ***

Vitet kalonin e Keti u rrit me këto kujtime, e dashurinë për xhaxhanë e saj, të cilin nuk e njohu kurrë dhe e kishte pikë në zemër që kur të rritej të bënte diçka për të gjetur varrin e tij e për t’i lehtësur sado pak plagët gjyshes e familjes së saj. Por pas dy vitesh që Keti ra pa dashur në sënduk, ishte viti 1971 në shtëpinë e tyre ra një mënxyrë tjetër e rëndë, asaj i burgosin të atin për agjitacion e propagandë kundra pushtetit popullor e si armik i popullit. E kjo nuk ndodhi për shkak të saj sepse Keti i ishte betuar gjyshes se nuk do të fliste me njeri, për ato çfarë ajo i kishte treguar, por sepse edhe i ati ishte një akademist i lartë me bindje përparimtare, e pikëpamje demokratike. Pas dënimit të të atit, e për shkak të luftës së klasave Keti e motrat e saj më të rritura  nuk mundën të ndiqnin studimet e larta, vetëm puna e rëndë në bujqësi e fabrika me tre turne ishin privilegj i
 madh për to. Nënën ia larguan nga arsimi, e filloi punë në një punishte ku qepeshin thasë afër lumit te Tiranës me duar e gjilpërë. Vëllanë ia degdisin me punë të detyruar (internim të padeklaruar) në fshatrat Orosh, Gëziq e Ndërfushas të Rrethit të Mirditës, ku punoi e jetoi atje për 12 vjet rrjesht së bashku me familjen e tij, në një stallë derrash me baltë, ku shpesh drejtuesit e pushtetit i thonin që edhe ti je një Kandidat i Mundshëm për në burgun Gjakpirës të Spaçit. Hallet nuk kishin të sosur për këtë familje që la Kosovën nga represioni serbo - malazez si familje patriotësh e luftëtarësh për liri, pavarësi e të drejta qytetare e ranë nën breshërin e hekurt komunist të Enver Hoxhës, i cili së bashku me Mehmet Shehun, Beqir Ballukun, Hysni Kapon, e të tjerë, i trajtuan shumicën dërrmuese të shqiptarëve të Kosovës jo si vëllezër e bashkëkombas, por si armiq të betuar të kombit.

Qindra shqiptarë të kësaj treve u burgosën, pushkatuan e u internuan nga ai rregjim që për 50 vjet do të ngjallte panik, vrasje, e tmerre pa fund edhe për familjet shqiptare të ardhura nga Kosova. Të atit të Ketit shpesh në punën e tij edhe në gjyq kur e dënuan si armik të popullit i përmendin edhe vëllanë e pushkatuar pa gjyq në fund të dhjetorit të vitit 1944 në Prizren nga Shefqet Peçi me urdhër të Enver Hoxhës e Milladin Popoviçit.

Keti sot bën apel për gjetjen e eshtrave të xhaxhait të saj, të quajtur Rasim Dajçi, pushkatuar pa gjyq në Prizren, për të vendosur një tufë me lule në shenjë mirënjohje e respekti për veprimtarinë e tij të njohur si antikomunist e patriot.

 
Copyright © 2010 Gazeta Dielli. All Rights Reserved