Toogle template customization

Who's Online..

Now online:
  • 22 guests
Ura që lidhin brigjet e zemrave të shqiptaro-amerikanëve  E-mail

Nga Dhimitër Shtëmbari

Shumë herët, herët, vonë dhe tani së mbrami shumë shqiptarë janë bërë pjesë e pandarë e popullit shumëkombësh amerikan. Madje, mjaft syresh kanë shpalosur personalitetin e tyre, duke afishuar e nderuar vetveten, por edhe Atdheun.

Marrë shkas për këtë shkrim nga një libër i botuar kohët e fundit prej dy shqiptaro-amerikanëve; shkrimtarit të mirënjohur Sotir Lashova dhe veprimtarit të shquar shoqëror Kiço Dimçe. Libri ka një titull shumë të thjeshtë: “Lashova – fshat i nderuar”.

Ç’më bëri përshtypje te ky libër i mbushur me mall e dashuri të pashuar për Atdheun – Shqipërinë, por edhe me shumë respekte e nderime për Atdheun e tyre të dytë – Amerikën?

Autorët e nderuar, Sotir Lashova e Kiço Dimçe, i dërgojnë lexuesit një libër të plotë, mbushur me informacion historik, gjeografik, etnografik, folklorik, gjuhësor ..., por mbushur edhe me disa mesazhe. Dhe kryemesazhi kuptohet açik: te miqësia me popullin dhe shtetin e fuqishëm amerikan kemi garancinë e së ardhshmes sonë.

Futur në thellësi të kohëve, autorët e fillojnë historikun e fshatit dhe të  bashkëfshatarëve të tyre (nga Lashova) që në vitet njëzetë-tridhjetë të shekullit të kaluar. Kujtojnë me plot respekt mërgimtarët e parë lashovallinj në Amerikë: Qirjako Bojaxhiun, Thanas Buçkën, Dhimitër Milon, mjaft të tjerë. Imzot Fan Noli do t’i përshëndeste këta burra atdhetarë për kontributin që jepnin në dobi të forcimit të miqësisë midis popullit amerikan dhe atij shqiptar.

Shqiptarët e krahinës së Leskovikut (për të cilët shkruhet gjërë në librin “Lashova – fshat i nderuar”), sipas shëmbullit të të tjerëve kudo në SHBA, krijuan “Shoqëria e Krahinës së Leskovikut “Jani Vreto””, brënda së cilës u përfshin tërë shqiptarët leskoviqarë, pa dallim feje e ideje.  Në të u bënë bashkë Thanas Lluka Bojaxhi, George Gjergo, Josif Geco, Kristo V. Çelo, Aleksandër Kovaçi, Aleks Papas, Filip Thano, Anesti Gjergo, Rako Vangjo Çelo, Vasil Bojaxhi Lashova e të tjerë.

Ndërsa lexon në librin “Lashova – fshat i nderuar” për Qirjako Bojaxhiun, nuk ke se si të mos emocionohesh. Bamirësia e shquante Qirjakon si njëri me veti të  rralla, shkruhet në libër. Dhuratat e tij dërguar familjes, si dhe fshatit ishin të vazhdueshme. Ishte po ky atdhetar, që nga mesi i viteve njëzetë e tridhjetë të shekullit të kaluar kontribuoi edhe për ndërtimin e shkollës fillore me konakët pranë saj, për ndërtimin e urës së gurtë pranë kishës së Shën Mitrit, për ndërtimin e ujësjellsit për shkollën, për ndërtimin e kishës dykatëshe të Shën e Premtes, për mirëmbajtjen e kishave etj.
Të tillë bujari pat treguar atdhetari Qirjako Bojaxhiu edhe për pajisjen dhe mirëmbajtjen e Kishës Shën Mari të Worçester Mass, ku banonte, siç pat treguar kujdes edhe për shkollat shqipe, ku mësonin fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, për organizimin e aktiviteteve kombëtare, siç ishte Dita e Flamurit etj.

Urat e bashkëpunimit të mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë me njerëzit e tyre të zemrës në Shqipëri kanë ardhur duke u zgjeruar dhe shtuar. Ato i kanë pas shërbyer forcimit të pandërprerë të ndjenjës së përbashkët. Qirjako Bojaxhi, shkruajnë Sotir Lashova e Kiço Dimçe, shkëmbente letra jo vetëm me familjen e të vëllait dhe me familjet e fisit, por edhe me mjaft të tjera në fshat e në mbarë krahinën. Ai e kishte bërë zakon që t’i dërgonte shpesh në letër at Thanas Nunit, priftit të fshatit, çekun me dollar dhe me emrat e shumën që do t’i jepej secilit. Të shumta ishin rastet që t’u plotësonte kërkesat nevojtarëve edhe në fshatrat e krahinës.

Shkrimtari Sotir Lashova dhe veprimtari shoqëror Kiço Dimçe vazhdojnë t’i mbajnë të pandërprera lidhjet me njerëzit e gjakut të tyre, si dhe me miqtë dhe shokët e tyre në Shqipëri. Edhe vet libri “Lashova – fshat i nderuar” është një tjetër urë, e re, që do t’i kontribuojë forcimit të miqësisë midis dy popujve miq, atij amerikan dhe atij shqiptar. Me perkushtimin shembullor te Vangjel Çelos, ketij veprimtari shoqeror me banim ne Tirane, libri po shkon ne duart e lexuesve per t'i sherbyer kesisoj forcimit te metejshem te miqesise midis popujve amerikane e atij shqiptar.

 
Copyright © 2010 Gazeta Dielli. All Rights Reserved