|
NGA DALIP GRECA
Të gërmosh 17 vjet për të gjetur eshtrat e vëllait, duhet të jetë një stërmundim i pamatur fizik dhe psikologjik, por ja që vëllezërit Bilali nga Vlora e provuan dhe natyrisht që nuk ia dolën të gjenin ato ç’ka kërkonin; eshtrat e vëllait të pushkatuar për 1 kg oriz në kohën e diktaturës komuniste. Nuk kishin s’i t’ia dilnin, ishte e pamundur nga që nuk dispononin koordinata të sakta të vend-pushkatimit, dhe aq më shumë, kur ata që ekzekutuan aktin e fundit tragjik, e kanë qepur gojën dhe ligji nuk i detyron që të tregojnë vendpushkatimin dhe vendvarrimin, në mënyrë që të lehtësojnë shpirtin e të vdekurit dhe të qetësojnë dhimbjet e shpirtrave të të gjallëve.
Të kërkosh metër për metër Pyllin e Sodës në Vlorë , ku ishte pushkatuar vëllai i tyre Xhevit Bilali, i cili qe vetëm 23 vjeç, kur iu mor jeta për “dëmtim të pasurisë socialiste”, është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Pas 17 vitesh lodhje duke gërmuar pyllin pëllëmbë për pëllëmbë, ata vendosën që të përdorin mjetin e fundit; grevën e urisë në zyrat e Avokatit të Popullit. Tani janë në pritje të rezultatit dhe shpresojnë se ekipi që ishte dëshmitar aktiv në momentin e pushkatimit, muajin e ardhshëm, në gusht, do të mblidhet dhe do të saktësojë vendin se ku prehen eshtrat e të ndjerit. Po përse nuk dëshmojnë personazhet që ende janë gjallë dhe që kanë informacion ? Kjo mbetet enigmë dhe cudia qëndron në faktin se shteti nuk po i detyron me ligj!
Vëllezërit Bilali, falë kërkimeve shumëvjeçare, e kanë siguruar listën e aktorëve që luajtën aktin e fundit të dramës atë natë tragjike, ku iu mohua jeta të riut 23 vjeçar, që kishte lënë gruan shtazënë dhe një djalë jetim 2 vjeç. Ata e kanë të plotë listën e ekipit që mori pjesë në këtë masakër çnjerëzore; është mbajtur procesverbali për ekzekutimin e kryer me 9 shtator 1984 tek Pylli i Sodës; është aty emri i prokurorit H Bano, hetuesit P Prenga, mjekut ligjor J Beqo, shefit të policisë Xh Hamzaj, dhe sekretarit të Degës së Punëve të Brendshme në Vlorë, B Abazi. Ekzekutimi është kryer nga B Pëllumbi dhe P Kola në orën 12 e 10 të natës së 9 shtatorit 1984. Pyetja rishtrohet: Kur të gjithë aktorët janë gjallë, përse nuk i detyron ligji që të mblidhen dhe të dëshmojnë se ku është kryer ekzekutimi dhe ku u varros trupi?
Shoqëria shqiptare e ka borxh moral që t’u gjejë eshtrat dhe t’u japë nga një varr pas vdekjes të pushkaturëve të diktaturës. Për 20 vjet shteti demokratik duhej të kishte vepruar në mënyrë institucionale dhe të mos ua linte barrën e gjetjes së eshtrave familjarëve, të cilët nuk i kanë as mjetet, as dokumentet e as financat për ta realizuar këtë mision.
Zbardhja e krimeve të diktaturës komuniste nuk mund të shtyhet deri në harrim. Natyrisht se ishte një zinxhir plot hallka ai ku merreshin vendimet për pushkatime, por tashmë nuk është më sekret: Pasi merrej vendimi nga Gjykata, Presidiumi i Kuvendit Popullor, ishte kthyer si një gjykatë supreme, që merrte vendimet me vdekje ose falte në raste të rralla. 16 anëtarët e Presidiumit dhe Presidenti duhej të votonin për çdo pushkatim dhe dënim me vdekje. Le të fillojë që andej zbardhja dhe të ndiqen hallkat, para se të vinte vendimi aty dhe më pas diskutimet që bëheshin në Presidium. Arkivat tashmë nuk janë më aq sekrete, në to mund të hyhet.
E nisëm komentin me rastin e të pushkatuarit Bilali për të dalë tek problemi i pazgjidhur në tërësi: Në Shqipëri diktatura komuniste pushkatoi pa gjyq më shumë se 6 mijë vetë, nga këta 4 mijë nuk u janë gjetur eshtrat. Kjo nuk është normale për asnjë nga qeveritë e shumta që kanë qeverisur në këta 20 vite Shqipërinë e tranzicionit. Statistikat e rendisin Shqipërinë si të vetmin shtet nga ish vendet komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore, që nuk ka arritur të kryej detyrën morale, të zbardhë krimet e komunizmit dhe të gjejë eshtrat e kundërshtarëve të regjimit. Ende nuk është arritur që të hartohet një listë egzakte dhe e plotë e të pushkatuarëve nga diktatura komuniste. Duket se klasës politike nuk i intereson që të futet në telashe të tilla, që do t’i shpenzonin shumë kohë dhe fonde. Mungesa e vullnetit politik për të zbardhur të vërtetën mungon, edhe pse shpesh herë kjo çështje hapet dhe rihapet sa herë e kërkojnë interesat elektorale.
Ka një fakt të çuditshëm: gati të gjithë ish të pushkaturëve ish komunistë, veçanërisht atyre të Byrosë Politike, ushtarkëve të lartë apo anëtarëve të KQ të Partisë së Punës së Shqipërisë, iu janë gjetur vendvarrimet dhe tashmë kanë nga një varr për prehjen e eshtrave të tyre. Natyrisht se kjo është njerëzore, askush nuk ka të drejtë t’u mohoj varret atyre, por siç dëshmojnë faktet, për ata qenkan mbajtur shënime të plota; për ata gjenden dokumentet, po pse të mos gjenden ato të një të pushkatuari në shtator 1984 apo të tjerëve ?
Shoqëria shqiptare nuk mund ta ndjejë veten të qetë përderisa nuk do të arrijë që të gjejë eshtrat e ish kryeministrit të vendit Koço Kota, apo ish ministrit të Arsimit Mirash Ivanaj, të vatranëve themelus Kristo Kirka e Kolë Rodhja, editorit të gazetës ”Dielli” Bahri Omari, që vunë zemrën për shpëtimin e kombit; apo të shumë klerikëve varrhumbur.
Ende sot e kësaj dite në Kishën e vjetër Katolike të Tiranës është një pllakë e mermertë me mbishkrimin: ” Dom Shtjefën Kurti, 1900-1971, që prêt eshtrat e klerikut të shquar, i cili qe diplomuar në Isburk të Austrisë e në Vatikan. Dom Shtjefën Kurti kur shërbente në Shkup, u zgjodh prej Gonxhe Bojaxhiut, kur ajo qe 12 vjeçe, që të rrëfehej në gjuhën shqipe. Nga Shkupi, Dom Shtjefni, do të shërbente në Gjakove, Shkodër dhe në Tiranë, ku qe zgjedhur në krye të komunitetit katolik të kryeqytetit. Regjimi komunist e arrestoi dhe e dënoi me 18 vjet burg. Pas ndalimit të fesë e dërguan të prashiste në bujqësi dhe aty i dhanë akuzën për sabotim;nuk kishte prashitë mirë bimët e misrit! Pa kryer asnjë faj u pushkatu kleriku dhe nipi i tij ka 20 vjet që i kërkon eshtrat, por nuk ka mundur të bjerë në gjurmë.
Problemi i mosgjetjes së eshtrave nuk është i vetmi që ka pa zgjidhur shoqëria shqiptare. Kanë kaluar 20 vjet dhe problemi i dekomunistizimi të shoqërisë ka ngecur; nis me zhurmë dhe më pas harrohet. Sa herë është diskutuar për hapjen e dosjeve, për evidentimin dhe shmangien e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit nga politika dhe drejtimi shtetror dhe më pas gjithçka harrohet. Është detyrim i shtetit demokratik që ta shlyej nga vetja këtë borxh moral që ka ndaj atyre që u mori jetën diktatura, të vërë para përgjegjësisë fajtorët dhe të shmangë nga aktiviteti politik e shtetëror ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe njerëzit-hije, ata me dosje.
|